Deputeti Ben Blushi, themeluesi i LIBRA-s, tha se çdo shqiptar sot ka 2630 euro borxh, më shumë se në vitin 2013.
Në një postim në Facebook, ai akuzoi qeverinë se ka marrë shumë borxhë për arsye të papërligjura.
Blushi thotë se asnjëherë nuk është bërë e ditur se ku kanë shkuar rreth 1 miliard e gjysmë euro që janë marrë borxh, duke e akuzuar në këtë mënyrë qeverinë për mungesë transparence.
“Në tre vitet e fundit kam folur shpesh për rritjen e borxhit publik. Qeveria ka marrë shumë borxhe për arsye të papërligjura. Deri më sot asnjeherë nuk është bërë e ditur, se ku kanë shkuar afro 1 miliard e gjysëm euro që janë marrë hua.
Kryesisht janë kthyer në zyra, mobilje, tapiceri, pllaka,fasada, stadiume,pishina, kulla dhe luks primitiv. Seicili prej nesh sot paguan me shumë borxh se tre vjet më parë. Nëse ne vitin 2013 cdo shqiptar e kishte pjesën e vet te borxhit 2148 euro, sot e ka 2630 euro.
Kjo do të thotë se në tre vjet seicilit i është rritur borxhi me 482 euro. Natyrisht rritja e pagave dhe pensioneve nuk është 482 euro per frymë. Ky është bilanci ekonomik i Rilindjes. Me para borxh blejmë manikyrin para sapunit. Edhe një femijë që lind sot duhet te paguajë 482 euro per manikyrin e Rilindjes”, shkruan Blushi.