Ditën e djeshme Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi datën zyrtare të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Kështu, 18 Qershori i 2017 do të jetë data ku qytetarët shqiptarë, do të zgjedhin me votë, ligjvënësit e rinj, të cilëve do t’u besojnë për një mandat 4 vjeçar.
Por me caktimin e datës së zgjedhjeve, Presidenti Nishani ka zgjedhur kështu edhe datën e largimit të tij nga ky post (gjithmonë nëse ndodh mrekullia dhe rizgjidhet). Kjo pasi mandati i tij 5 vjeçar si kreu i shtetit po i vjen fundi.
Në fakt, me vendosjen e 18 Qershorit si datën e zgjedhjeve, Nishani ka tashmë edhe 3 muaj punë, të paktën si President i Republikës, pasi nuk përjashtohet rikthimi i tij në gjirin e PD-së (de juro).
Sipas neneve dhe rregullave të përcaktuara në Kushtetutë, afati i fundit i zgjedhjes së Presidentit duhet të jetë jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit aktual. Bujar Nishani u zgjodh President më 24 Korrik të vitit 2012.
Por me caktimin e 18 Qershorit për zgjedhjet parlamentare, kjo kohë do të jetë paksa më e shpejtë, pasi Kuvendi shpërbëhet 45 ditë përpara fillimit të zgjedhjeve. Në këtë rast i bie që të jetë data 3 Maj 2017, si dita e caktimit të Presidentit të ri. Kjo do të thotë se procedurat do të duhet të nisin më parë se kjo datë.
Këtu vjen një tjetër rregull i përcaktuar në Kushtetutë për zgjedhjen e Presidentit. Kështu Kushtetuta përcakton 5 raunde gjithsej, me nga 7 ditë diferencë nga raundi në raund, për zgjedhjen e Kreut të ri të Shtetit. Kjo do të thotë se do të duhen edhe 35 ditë maksimumi raunde dhe procedurë për zgjedhjen e Presidentit.
Atëherë afati i fundit të Nishanit si President, ngushtohet edhe më tepër, dhe kjo është data 28 Mars 2017, si afati i fundit i nisjes së procedurave.
Në këtë mënyrë, Nishani ka thuajse vetëm 3 muaj për të iu gëzuar postit të kreut të shtetit. Presidenti duket se me dekretin e datës së zgjedhjeve, ka vendosur edhe fatin e tij. Kjo ndoshta nënkupton edhe deklaratat e tij të ethshme se është gati për një mandat të dytë, por që fatkeqësisht ka gjetur mbështetje vetëm nga Basha e Berisha, por jo nga mazhoranca.
Po ashtu është e qartë, edhe lëvizja e shtuar dhe deri diku e nxituar e Nishanit për të rrëzuar thuajse të gjitha ligjet kyç për fatin e vendit, dhe njëkohësisht eapo çuditërisht të kundërshtuara dhe nga PD me të njëjtën retorikë.
Për këtë arsye mund edhe të mendohet edhe nostalgjia e tij për një rikthim në PD, pas përfundimit të mandatit si President. Dhe ky është parashikimi dhe rregulli i pashkruar që kemi parë këto 5 vite të Presidencës së tij, ndoshta të një Presidenti që kurrë nuk e ka harruar prejardhjen e tij blu, pavarësisht se Presidenti kërkohet të jetë mbipartiak.
Mesa duket edhe për tre muaj, PD do të ketë “qokat” e fundit nga Nishani, të një Presidenti që kurrë nuk guxoi të dalë kundër PD-së, dhe të një mandati që e e fitoi më shumë në tavolinë dhe aspak konsensus. E kështu duket se do të përfundojë!/Lexo.al/