Autobusi superluksoz i Flamurtarit mbërrin në Vlorë. Ka qenë ora 14:00 e ditës së djeshme, kur autobusi me shofer turk ka prekur territorin para stadiumit, shoqëruar në hyrje të qytetit nga forca të policisë rrugore. Duke qenë se përmasat e autobusit ishin të mëdha, policia rrugore ka ndërhyrë edhe për hapjen e vendit para stadiumit ku do të parkohej mjeti.
Pas shpërndarjes së pagave dhe zgjidhjes përfundimtare të asaj çështjeje, Klubi i Futbollit Flamurtari bëhet edhe me autobus të ri. Fjala e fundit e teknologjisë ka mbërritur në Vlorë. Për të pritur autobusin kishin dalë administratori Sinan Idrizi, drejtues të tjerë të klubit dhe stafit teknik, futbollistë dhe tifozë. Por administratori Idrizi nuk e ka lënë pa shoqëruar me batuta këtë moment.
“Ore, pse keni dalë, nuk po e kuptoj?! Gënjej unë, nuk vjen autobusi! Hodha një ‘fotoshop’ në ‘Facebook’ dhe menjëherë e hëngrët ju”, u shpreh Idrizi 10 minuta përpara se të mbërrite mjeti. Por, në kohën kur po afrohej, nuk ngurroi të bënte një tjetër batutë. “U thashë që të vinin nga xhamia. Të shkonin njëherë atje”, tha Idrizi.
Dhe kur autobusi u shfaq në bulevardin përballë stadiumit, të gjithë shtangën me pamjet që po shihnin. Sapo autobusi u stacionua para stadiumit, të parët që kanë hipur në të kanë qenë Veliu, Berisha, Alvesh dhe Bushiç. Por të gjithë janë mahnitur kur kanë hyrë brenda.
“Super”, u shpreh Alvesh. “Gjigant”, ia priti Bushiç. “Shumë i bukur. Kemi edhe priza, nuk i duam më karikuesit tani. Bobo, nuk ka më muhabet tani, qenkan teke vendet”, u shpreh Veliu. “Oh, sa të rehatshëm qenkan. Sa mirë qëndron edhe shtrirë”, tha Berisha. Me radhë më pas edhe lojtarë të tjerë, por edhe tifozë kanë parë nga brenda autobusin.
Autobusi i ri
Mund të quhet superautobus dhe që nuk e ka asnjë skuadër tjetër, jo vetëm në Shqipëri. Autobusi i Flamurtarit është si Barcelonës dhe është prodhim i vitit 2012. Ai është prodhim i fabrikës “Man”, e cila ka ekskluzivitetin për autobusin e Barcelonës. Fabrika e kësaj kompanie gjendet në Ankara dhe tashmë edhe Flamurtari ka kontratë me këtë firmë.
Autobusi ka kushtuar 170 mijë euro, por duke shtuar doganën dhe dokumentet e tjera, vlera totale e mjetit shkon në 300 milionë lekë. Brenda autobusit gjenden frigoriferë, tualet, TV. “WiFi”, “iPad” për secilin lojtar, por edhe vend masazhi. Ndryshe ky quhet edhe autobus zyre, ku lojtarët do të kenë mundësinë që të udhëtojnë në kushte komode.
Autobusi do të shërbejë vetëm për udhëtimin në transferta të Flamurtarit, ndërsa në stërvitje do të përdoret autobusi aktual për shkak të rrugës problematike të Plazhit të Vjetër.
Administratori Idrizi
“Nuk është dhuratë, por është një obligim. Duhet të vinte që prej rreth 6 muaj, po ia që erdhi sot (dje) dhe është koincidencë që përkon me festat e fundvitit. Nuk është blerë 400 mijë euro siç është thënë në media dhe këto shifra nuk më pëlqejnë fare. Te Flamurtari mos flisni për shifra. Është një autobus që bën ndryshimin, vetëm kaq. Unë ndryshimin e dua në fushën e lojës.
Nëse ka Barcelona një autobus të tillë, nuk do të thotë se jemi Barcelona. Janë gjëra krejt të tjera. Unë jam krenar që vjen për herë të parë në Shqipëri një autobus i tillë dhe që bën ndryshimin nga të tjerët. Të mos kapemi shumë me problemet e autobusit, pasi para një jave ishim tradhtarët, tani jemi ata që sollën autobusin. Këto janë histori që nuk duhet të kalojmë në hiperbolë. Është thjesht një autobus dhe vetëm kaq”, u shpreh administratori Idrizi për “Panorama Sport”.
Autobusi i vjetër
Idrizi ka denoncuar edhe situatën ku gjendet autobusi i vjetër i Flamurtarit. “Nëse doni të bëni krahasime, shkoni aty te cepi i stadiumit. Është një autobus që është kthyer në banjë publike sot në Vlorë dhe që ish-kryetari i bashkisë Shpëtim Gjika e ka blerë për 60 mijë euro. T’i japë llogari popullit të Vlorës për atë autobus që është blerë 60 mijë euro dhe sot është kthyer në banjë publike.
Ju gazetarët duhet të sensibilizoni për fondet publike që janë vjedhur në Vlorë. Rastin konkret e keni atje, shikojeni dhe vlerësoheni. Pra, cili është ndryshimi? Ndryshimi është mes atyre që kanë abuzuar me fondet publike dhe atyre që investojnë nga sektori privat”, u shpreh Idrizi./PanoramaSport/a.m.