Gara për një nga vendet e punës që do të hapen brenda këtij viti në kryeqytet do të përballë rreth 850 mësues në profilet përkatëse. Ata tashmë kanë dorëzuar dosjet personale pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale përpara se të futen në provimin final. Nga ky total punëkërkuesish, mësohet se 50 prej tyre futen në testim për të dytën herë, për të përmirësuar nivelin e pikëve në raport me një vit më parë, me qëllim që të renditen një shkallë më lart në listën e kandidatëve për punësim.
Brenda ditës së sotme, ata do të njihen me vlerësimin e dosjes, që mban 30% të vlerës në totalin e pikëve. Pasi të njihen me pikët e dosjes, kandidatët duhet të tërheqin pranë DAR-eve përkatëse formularin që u mundëson aplikimin në portal, i cili bëhet në periudhën 11-16 dhjetor. Theksohet se asnjë kandidat nuk mund të marrë pjesë në testim në rast se nuk kryen regjistrimin online. Peshën më të madhe në garën për punë e mbart testimi “Mësues për Shqipërinë”, i cili do të zhvillohet më 21 janar 2017, nga ora 10:00-12:30, në mjediset e përcaktuara nga DAR. Pak ditë më parë, Instituti i Zhvillimit të Arsimit publikoi programet orientuese ku do të zbatohet provimi, ndërsa kandidatët janë në pritje të hapjes së aplikimeve.
PUNËSIMI
Arsimtarët e papunë që futen në testim me shpresën për të fituar një vend, duhet të kalojnë tri faza për t’u punësuar. Deri më tani ka përfunduar e para, që është dorëzimi i dosjes. Faza e dytë dhe me shumë rëndësi është testimi me shkrim, ku marrin pjesë të gjithë ata që konkurruan me dosje dhe kanë tërhequr formularin e aplikimit, ndërsa e treta ka të bëjë me zgjedhjen e vendit të punës. Të gjitha këto janë të përcaktuara qartë në udhëzimin nr.38 “Për procedurat e lëvizjes paralele, emërimin dhe largimin nga puna të mësuesit në institucionet arsimore publike të sistemit arsimor parauniversitar”.
Përveç pikëve të grumbulluara nga dosja dhe testimi, shanset për punësim varen edhe nga profili i lëndës. Duke qenë se Gjuhë-letërsia vijon të kryesojë listën me më shumë punëkërkues në arsim, kjo e bën garën më të fortë për kandidatët, ndërsa ul mundësitë për ata të cilët shpallen fitues, por janë renditur në fund të listës. Në testimin e 21 janarit marrin pjesë edhe mësuesit me kontratë definitive, apo ata që dëshirojnë një vend më të mirë pune, e po ashtu edhe ata që janë aktualisht në punë, por parashikojnë se vitin e ardhshëm shkollor mund t’u reduktohet vendi i punës.
ma.me