Nga Armando Meta/
Ish- kryeministri, Sali Berisha, duke mos e fshehur ngazëllimin, ka shpërthyer në sulme ndaj kryeministrit italian të dorëhequr tashmë Mateo Renzi pas Jo-së në referendum, duke e akuzuar atë se në marrdhëniet me Shqipërinë “mbante qëndrim partiak”. Sulmet e Berishës ndaj Renzit, në realitet, provojnë se ndjesia e shtetarit tek ish kryeministri Berisha është e papërfillshme. Sipas logjikës së tij del se qeverisjet janë thjeshtë klane dhe jo respektim votash, ligjesh dhe shteti ligjor. Nga pikpamja shtetare absolutisht nuk mund të bësh asnjë krahasim mes qeverisjes brenda ligjit të kryeministrit Renzi dhe qeverisjes klanore mbi baza fisi të ish- kryeministrit, Berisha.
Shkatërrimi i konceptit të shtetit ligjor, krijimi i një drejtësie të kriminalizuar dhe të korruptuar deri në palcë, shkatërrimi i çdo mundësie komunikimi civil, zhytja për 2 dekada e vendit në një spirale dhune e shkatërrimi në çdo qeliz të saj, janë absolutisht tipare dalluese mes dy profileve të ish- kryeministrit Berisha dhe kryeministrit Renzi. Të gëzohesh në Tiranë se ka dhënë dorëheqje Renzi, me logjikën tërësisht amatore pse është ‘miku” i Ramës, më shumë sesa gëzohet opozita në Itali, është thjeshtë një përpjekje për të kënaqur ca militantë partiak, sesa tregon vlerat e të qenurit shtetarë.
Natyrisht që është edhe qesharake të bësh përcaktimin se Jo-ja e referendumit në Itali ka lidhje me zgjedhjen e Trump President në SHBA!!! Së pari janë dy procese që nuk kanë asnjë lidhje as në formë as në përmbajtje me njëri tjetrin. Së dyti, italianëve nuk është se u bëhet shumë vonë për zhvillimet në SHBA sepse janë vend me një perceptim krejt tjetër sa u përket zhvillimeve brenda vendit të tyre në raport me zhvillimet ndërkombëtare. Të përpiqesh të krijosh idenë se Edi Rama rri në pushtet se ishte Obama, Klinton, Renzi, Merkel etj., i jep Ramës vlera absulutisht që nuk i ka. Qeveritë përcaktohen nga votat. Ato mund të bien vetëm mbi bazën e sistemit të votimit siç ndodhi dhe në SHBA, Itali e në çdo vend normal demokratik. Qeveritë nuk rrinë në këmbë se kryeministri është miku i filanit apo i fistekut. Problemet e brendëshme që ka Shqipëria janë të panumërta.
Ekonomia është në krye të problemeve. Vendi nuk po arrin të dalë nga një tunel krize ku është zhytur. Lëngimi social vazhdon të jetë prezent. Kjo duket edhe në dhjetra drama sociale që janë në krye të lajmeve. Por kur mendon se kriza ekonomike mund të zgjidhet mbi bazën e qeverisjes fisnore dhe klanore, të një qeverie që spyet për shtet ligjor e ligje, ku vendos më i forti dhe jo ligji, ku individët që janë përgjegjës për këtë drejtësi kriminale që kemi në këmbë të shihen si shpresë për zgjidhjen e problemeve, kjo është tërësisht jashtë çdo logjike. Nuk pranojmë të keqen më të vogël. Por natyrisht nuk mund t’i japim sërish besimin njerëzve të cilët janë përgjegjësit kryesorë të kësaj katrahure 25 vjeçare. Renzi më parë se “mik” i Ramës, ka qenë mik i shqiptarëve. I atyre shqiptarëve të cilët duan të këpusin fijen e lëngatave që për 2 dekada me rradhë ua kanë kthyer jetën përmbys. Ishte mik në ditë të vështira.
Përgojimi i emrit të tij është vetëm pjesë e një liste të gjatë që përgojon PD dhe ish kryeministri Berisha, duke filluar që nga ambasadorët amerikanë, ata të BE-së, të Gjermanisë, EURALIU-s e kush t’i dali para që janë në vijën e parë të Reformës në Drejtësi dhe që nuk përkrahin dhunën si mjet politik. Akuzat si mafiozë dhe të korruptuar ndaj kreut të EURALIU-s, Rainer Deville dhe ambasadores së BE-së në Tiranë Vllahutin nga ana e ish kryeministrit Berisha kalojnë çdo imagjinatë. Motivi i sulmeve është thjeshtë Reforma në Drejtësi. Kjo i bën këto sulme krejt pa vlerë dhe vetëm sa shprehin panik. Ikja e Reanzit është fati politik i një individi dhe jo i gjithë Italisë. Integrimi i Shqipërisë në BE është fati i përbashkët i të gjithë shqiptarëve. Në këtë drejtim PD ka votuar kundër.