Nga Ben Andoni/
Nga ajo që kuptohet ditët e fundit, kryetari i Opozitës shqiptare, Lulëzim Basha, jo vetëm nuk do bëjë Mea culpa, por do ta eksportojë fajin. Në pozicionin e liderit fatkeq (asnjëherë se tregoi veten udhëheqësin e PD-së), në takimet me kolegët e huaj dhe, sidomos me të gjithë faktorin vendas, në vend që të ndalet tek shkaqet bazike të humbjes në zgjedhjet e fundit lokale, po merret me një gjë që si takon më: mënyrën e fitores së Maxhorancës.
Kjo e bën edhe pse shumë të ri në moshë tejet old-fashion. Që nga slloganet e tij, nga mosnjohja e parimeve të së Djathtës evropiane dhe më shumë nga të gjitha: nga mosnjohja e problematikës së vendit, që i shtohet hija e zgjatur mbi vete e ish-kryetarit de facto të PD-së, Sali Berisha. Basha është fytyra e vërtetë humbëse e kësaj partie, që tashmë ka humbur identitetin dhe gjithçka, që e lidh me atë partinë e mirëdashur të shumë shqiptarëve të fillim viteve ‘90.
Por edhe pse ende për shumë nga ata që e mbajnë teserën e PD-së, është i kënaqshëm ky lloj drejtimi, që u ruan interesat e vogla, për shqiptarët është kohë e humbur dhe nevojë direkte për krijimin e një force, që të balancojë pushtetin e pamatë të Socialistëve.
Ajo që flitet dhe po diskutohet më shumë në këto kohë mes elektoratit të Djathtë është pikërisht nevoja për një rimodelim të këtij formacioni, kurse zërat që janë më mëndjehapur kërkojnë rithemelimin e një Partie të re Demokratike. Edhe pse konservatorët nuk e duan, ajo nuk është disfatë, është thjesht humbje e një formacioni, që nuk ka asfare identitet dhe bashkon rryma sociologjike që pothuaj as kanë fare lidhje me njëra tjetrën. Dhe, koha s’mban më: Shqipëria ka nevojë për një të Djathtë moderne, që ta dijë ta përfaqësojë si duhet në familjen evropiane për një perspektivë të re të së Djathtës shqiptare.
Në këtë stad, shoqëria shqiptare ka nevojë për një të Djathtë të moderuar, që të përfshijë spektrin që i përket të shoqërisë shqiptare. E për këtë s’duhen më lidera-kukulla si Basha, por program, ide dhe madje edhe një ideologji e re. PD e mbaroi realisht misionin e saj dhe i përket si Solidarnosti në Poloni, thjesht të shkuarës në muze. Anipse nëse vazhdohet kështu atëherë Basha ka të drejtë sërish. Kurse Partia Demokratike s’do reformohet kurrë.