Valbona Rizai, edhe pse vetëm 13 vjeç, është shndërruar në kryefamiljare. Familja e saj jeton në fshatin e thellë Lumarë në Mallakastër, në një kasolle ku për dysheme kanë tokën, e çfarë bie jashtë, pikon brenda.
Valbona është detyruar që të jetë vetë burrë, grua, nënë dhe motër, pasi kujdeset për nënën e paralizuar dhe të vëllanë me sëmundje mendore, i cili prej dy javësh është larguar nga shtëpia.
“Vëllai ka ikur dhe nuk e di se ku është”, thotë Valbona duke qarë.
Kryefamiljari u nda nga jeta pak muaj më parë dhe të afërmit mundohen t’i vijnë në ndihmë Valbonës që pas vdekjes së babait.
“Ja, i sistemuam në këtë shtëpi, ranë muret. Thamë t’i lemë te kjo tjetra që edhe po ra, nuk ka aq peshë. Kemi thirrur mjekët, e kanë parë gjendjen, por nuk kanë bërë gjë”, thonë të afërmit.
Por, Valbona është edhe nxënëse. Vazhdon klasën e tetë, madje me nota të mira. Për të shkuar në shkollën 9-vjeçare në një fshat tjetër, ajo duhet të bëjë 14 km rrugë në këmbë. Gjatë dimrit, i duhet të kapërcejë edhe lumin Gjanica, me shpresën se shkolla që po e bën me aq mundime, një ditë do ta shpëtojë nga tmerri ku jeton. /Top Channel/a.k