Në ndeshjen e fundit të luajtur në Shkodër, ku Vllaznia fitoi 3-0 ndaj Korabit, u regjistrua një rekord negativ në pjesëmarrjen e tifozëve. As 300 shikues në “Loro Boriçi” nuk kanë qenë as në takime miqësore. Megjithatë, “Panorama Sport” kontaktoi dje me këngëtarin e mirënjohur shkodran, Bujar Qamili, i cili është një prej tifozëve të thekur të Vllaznisë. “Mjeshtri i madh i punës” u mundua të jepte arsyet pse tifozët e kanë braktisur Vllazninë e këtij sezoni.
Njiheni si një tifoz i thekur i Vllaznisë, që e ndiqni prej vitesh në çdo takim. Si shpjegohet që në këtë moment, kur skuadra po ecën mirë, në stadium në ndeshjen e fundit kishte vetëm 300 shikues?
Së pari, ju falënderoj për këtë mundësi që më jepni për të folur rreth Vllazninë. Në këto momente, unë mendoj se nuk është faji te Vllaznia e tanishme pse nuk vijnë tifozët. Po të ishte Vllaznia e tre viteve më parë, ndoshta tifozët mund të kishin të drejtë për të mos ardhur në stadium. Ndërsa sot, me korrektësinë e vetë futbollistëve dhe përkushtimin e trajnerit serioz e rezultativ, Armando Cungut, Vllaznia po ecën shumë mirë dhe ka një pozicion komod në tabelë, siç është vendi i pestë.
Atëherë, pse “Loro Boriçi” mbetet i zbrazët?
Kam frikë se mos ndikon kostoja e biletës dhe ju e dini shumë mirë që këto probleme në Shkodër ekzistojnë. Për mua, vetëm çmimi i biletave po lë tifozërinë shkodrane larg Vllaznisë. E theksova më lart, që tifozët ndoshta kishin të drejtë të mos vinin në stadium, nëse do të bëhej fjalë për Vllazninë e tre viteve më para. Por, ndoshta ende tifozët e Vllaznisë, nisur nga ajo që kanë parë në vitet e kaluara, nuk kanë besim te kjo skuadër. Gjithsesi, vitet nuk i ngjajnë njëri-tjetrit dhe unë mendoj se tifozët duhet që ta mbështesin këtë Vllazni.
Në prag është ndeshja Vllaznia-Skënderbeu. Çfarë prisni?
Në ndeshjen me Skënderbeun do të ishte mirë që bashkia dhe klubi Vllaznia t’i hapte dyert e stadiumit, pasi futja e tifozëve të shumtë në numër do të ishte një shtysë më tepër që të merrnim një rezultat pozitiv. Një fitore do të ishte mrekulli për ne, që t’i largoheshim përfundimisht zonës së ftohtë dhe pse jo të ishim në një pozicion që do të pretendohej edhe pjesëmarrja në Kupat e Europës. Unë them se duke pasur parasysh rezultatet e fundit të ekipit tonë, do të jetë e pamundur që Vllaznia të dalë nga ky takim pa pikë. Këtë e them pa frikë, pasi shoh djemtë shumë të motivuar. Gjithashtu, të mos harrojmë se nuk kemi përballë atë Skënderbe të fortë të viteve të kaluara.
Para një takimi të tillë, cili do të ishte apeli juaj për tifozërinë kuqeblu?
U bëj thirrje të gjithë tifozëve që ta mbështesim këtë Vllazni të re, e cila nga dita në ditë po tregon vlerat e futbollit shkodran. Unë besoj shumë te kjo skuadër për të arritur një vend nderi në kampionat dhe pse jo të mos arrijë të kthejë sërish Kupën në Shkodër. Gjithçka ia dedikoj atij djaloshi, që e ka emrin Armando Cungu, teksa me pasion dhe ndershmëri po drejton Vllazninë, të cilën e duam aq shumë.