Gjashtë muaj nga hetimi për korrupsion dhe zbulimi i skandalit në Gjykatën e Lartë ku me 50 mijë euro shitej vendimi i pronësisë, gjykatësja Majlinda Andrea do të dalë të hënën më 5 dhjetor para kolegëve të saj për t’u njohur zyrtarisht me akuzën.
Report Tv ka siguruar një kopje të kërkesës për gjykim, ku sipas hetimeve rezulton se vendimi në favor të palëve Eleni Lino, Ilia Çabiri dhe sekserit Petraq Dashi është dhënë 24 orë pasi ata kanë paguar paratë.
Po nga kjo dosje del në dritë fakti se ky hetim është dekonspiruar dhe gjyqtarja Majlinda Andrea kishte dijeni se për ryshfetin që do paguhej kish nisur një hetim. Në një bisedë të përgjuar më 14 korrik dy ditë pas vendimit të dhënë nga gjykata, gjyqtarja Andrea e orienton bashkëshortin për veprime të kujdesshme “dosja është atje, nuk bëhet fjalë për kallëzim, ka dalë rastësisht nga një çështje tjetër, kështu që bëj ato veprimet sot me shumë kujdes, se ai mund të jetë dakord?”
Faksimile te hetimet kanë zbardhur se “Mos pranimi i rekursit lidhur me çështjen gjyqësore është vendosur një ditë pasi është dhe të pandehurit Odhise Andrea shuma prej 50.000 mijë euro, vendim që ka qenë në favor të shtetasve të mësipërm”.
Pasi u janë marrë parate personave që fituan pronësinë e 40 h truall në Ksamil, janë depozituar në një bankë të nivelit të dytë në Tiranë të ndara përkatësisht në 32.000 mijë euro dhe 18 mijë euro në llogaritë bankare të bashkëshortit të gjyqtares Odhise Andrea.
Ndër provat që prokuroria e përgjithshme ka depozituar në gjykatën ndaj 5 të pandehurve mes tyre dhe gjyqtares Andrea janë 22 të tilla, përfshi përgjime, foto e video nga takimet e realizuara mes palëve, transkripte si dhe procesverbalin e sekuestros preventive të 50 mijë euro të cilat janë të depozituara në llogaritë bankare të Odhise Andreas.
Në këtë dosje janë proceduar pesë persona Majlinda Andrea (gjyqtare) Odhise Andrea (Bashkëshorti gjyqtares, ende në arrati), Petraq Dashi (sekser), Eleni lini dhe Ilia (Ylli ) Cabiri pronarët përfitues të 40 hektar truall në Ksamil.