Një ditë pasi ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos paralajmëroi zyrtarisht Shqipërinë “të mos guxojë të sfidojë Greqinë”, një reaksion zinxhir ka ndodhur në qarqet ekstremiste greke, që të inkurajuara nga gjuha e ashpër janë hedhur në veprim. Në shtetin fqinj pjesë e gjuhës së ekstremizmit janë bërë edhe mediat, shkruan “Gazeta Shqiptare”.
E përditshmja “Stohos” është hapur me një kryeartikull ku u bën thirrje autoriteteve greke të dëbojnë të gjithë emigrantët shqiptarë, që sipas shkrimit janë “kolona e pestë e Turqisë në Greqi”. Por nuk ndalet me kaq.
Me anë të një fotomontazhi provokues, “Stohos” e ka përafruar flamurin tonë kombëtar me atë të Turqisë, duke vendosur përballë një ushtar grek të acaruar që i gjuan me plumba. Kjo nuk është hera e parë që kjo gazetë vë në qendër të kritikave Turqinë.
Edhe pak ditë më parë, “Stohos” ka pasur si kryeartikull një shkrim për marrëdhëniet me Turqinë, shoqëruar me një fotomontazh të Erdogan. Të gjitha këto reagime ekstremiste kanë nisur pa u mbushur as 24 orë nga deklaratat provokuese të ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kammenos.
I pranishëm në garnizonin ushtarak kufitar në Molivdoskepasti, në kufi me Shqipërinë, i veshur me kamuflazh dhe në praninë e gjeneralëve më të lartë të ushtrisë greke, Kammenos ka folur prerë, duke paralajmëruar Tiranën se “Greqia nuk mund të pranojë sfida dhe referenca që ndikojnë në historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”.
Duke u ndalur në deklaratat e fundit të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të cilat u pasuan me retorika të nxehta mes palëve, ministri grek i Mbrojtjes deklaroi se për Athinën sajesat antihistorike janë të papranueshme, duke iu referuar veçanërisht çështjes çame.
“Nga këtu dua të dërgoj një mesazh për të gjithë ata që guxojnë të sfidojnë traktatet ndërkombëtare dhe të drejtën ndërkombëtare për të bërë deklarata provokuese. Përgjigjja jona është e qartë:
Greqia është e vendosur të mbrojë sovranitetin kombëtar të vendit dhe të respektojë të drejtën ndërkombëtare. E kam fjalën edhe për deklaratat e fundit të z. Rama, për sajesat antihistorike që ai flet e që na sjellin përsëri në kujtesë bashkëpunëtorët e nazizmit. Ishin ata që dolën në anën e humbësve.
Ata ishin në anën e mundur në luftë. Ne nuk do të pranojmë sfida të tilla dhe nuk do të pranojnë raporte të tilla, të cilat dëmtojnë dhe infektojnë historinë dhe të drejtën ndërkombëtare”, – tha ai.
Ndërkohë, në aksin rrugor kombëtar Tepelenë-Gjirokastër, mëngjesin e djeshëm, sipas një fotoje të siguruar nga “BalkanWeb” rezulton të jenë shkruar me sprai parulla për “Vorio-Epirin”.