Gjykata për Krimet e Rënda pranoi kërkesën e prokurorisë për dënimin me burgim të përjetshëm të një 59-vjeçari, të akuzuar për vrasjen e së tij të mitur. Krimi brenda familjes ka ndodhur më 1 shkurt të vitit 2016, ku pas një debati të ashpër i pandehuri, Kujtim Ibraj, vrau me thikë të bijën 17-vjeçare dhe plagosi vajzën tjetër. Sipas Gjykatës, i pandehuri Ibraj ka konsumuar akuzën e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, në dëm të së bijës 17-vjeçare dhe akuzën e “dhunës në familje”.
Megjithëse u dënua përjetë, ai shpëtoi nga kjo masë dënimi, për shkak se dosja në ngarkim të tij u zhvillua me procedurën e gjykimit të shkurtuar. “Në bazë të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Kujtim Ibraj i ulet një e treta e dënimit dhe dënohet përfundimisht me 35 vjet burgim”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Vendimi gjyqësor ndaj Ibrajt është shpallur pak ditë më parë nga një pesëshe gjyqtarësh, e kryesuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj, në përfundim të një procesi që zgjati nëntë seanca. Gjatë hetimit dhe gjatë gjykimit, Ibraj mbajti qëndrim pohues për akuzën dhe shfaqi pendesë.
Në fazën e konkluzioneve përfundimtare, përmes avokatit të tij, Ibraj kërkoi ndryshim të kualifikimit të akuzës dhe dënimin e tij jo për “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, por për “vrasje të kryer në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”. Sipas Prokurorisë, i pandehuri qëlloi me thikë të bijën gjatë një konflikti me bashkëshorten.
Me këtë të fundit ai ishte divorcuar vetëm pak ditë para ngjarjes, ndonëse vijonin të jetonin në të njëjtën banesë në zonën e njohur si Bregu i Lumit, në Tiranë.
Sipas të dhënave, konfliktet në familjen gjashtë anëtarëshe, Ibraj, ishin të shpeshta, për shkak të kushteve të vështira ekonomike, si edhe prej faktit se i pandehuri konsumonte alkool.
Për shkak të situatës së acaruar, ishbashkëshortja e Ibrajt i ishte drejtuar dy herë policisë për të denoncuar dhunën në familje. Policia ka nisur dy herë procedime kryesisht ndaj tij, të cilat janë pushuar më pas, për shkak të tërheqjes së denoncimit nga familjarët.
ma.me