Nga Spartak Ngjela
Venecia e mbylli çështjen e vetingut në favor të ligjit, bashkë me “përkthimin” e kalanderëve mediokër të Saliut.
Historia europiane e Shqipërisë që do të shkruhet pas disa vjetësh, mendoj se tre faktorë antieuropianë të Shqipërisë do të radhisë në harkun e pesëqind vjetëve: Perandorinë Osmane në Shekullin e XV-të, lëvizjen esadiste të viteve 1912-1919, dhe hordhitë Berisha në Shekullin e XXI
Gjithsesi, tani gjithçka u mbyll. Koha europiane e Shqipërise ka filluar, dhe gongu bie më datën 10 dhjetor të këtoj viti. Historia e dhimbshme e shqiptarëve të masakruar ndër shekuj për t’u osmanizuar ose sllavizuar, për të humbur gjuhën shqipe dhe identitetin arbënor, mori fund: dhjetori i vitit 2016 ngre ngadalë siparin e skenës sonë reale – Shqipërinë europiane juridike dhe faktike.
Por kjo luftë e vitit 2015 – 2016 për identitetin Europian të shqiptarëve do të mbetet në histori gjatë. Ishin grahmat e fundit të korrupsionit dhe abuzimit shqiptar në pesëqind vjet, i cili po jep shpirt në sytë tanë. Por, gjithashtu duhet të kuptohemi ngaherë se këtë luftë me abuzimin e brendshëm kundër Shqipërisë Europiane, e kemi fituar me ndihmën dhe forcën e politikës amerikane dhe politikës gjermane. Dhe eshtë një nder i madh për shqiptarët kjo ndërmarrje e madhe amerikano-gjermane, e cila, në fakt, po rivendos me forcë historike padrejtësinë e madhe që iu be shqiptarëve në dhjetëvjeçarin e parë te shekullit që kaloi. Është shkenca e historisë dhe gjuhësisë që kthjelloi politikën e dy fuqive më të mëdha të Perëndimit, dhe interesi i tyre për utilizimin modern të dy shteteve shqiptarë në Ballkan.
Tani që u vendos përfundimisht pozicioni i palëvizshëm europiano-perëndimor i Shqipërisë, edhe shteti shqiptar i Kosovës do të jetë shumë më i sigurt; kurse fermentimi kulturor shqiptar i të gjithë botës shqiptare në Ballkan do të shkojë në lulëzim.
Koha europiane e Shqipërisë mijëvjeçare fillon në 10 dhjetor 2016… Po Gjykata Kushtetuese? Shqiptarët do të tallen me gjashtë otomanët esadistë të Gjykatës që menduan se mund të ndalonin historinë europiane të Shqipërisë dhe heroikën shqiptare me një copë letër që Saliu së brendshmi duket se i thotë “Vendim Otoman”…