Agjencia e Trajtimit të Pronës njoftoi dje se ka përfunduar shqyrtimin e 153 aplikimeve me objekt kompensimin financiar dhe kompensimin fizik nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së, për pronën e njohur me vendimet e ish-Komisioneve të Kthimit e Kompensimit të Pronave.
Në përfundim të procesit, janë përcaktuar kërkesat që nuk merren parasysh, pasi rezultojnë si të plotësuara; kërkesa të tjera, që kompensohen financiarisht dhe, në fund, kërkesa të pronarëve që kompensohen me tokë fizike. Lista me emrat e pronarëve përfitues është paraqitur më poshtë.
Vlera e fondit financiar të shpërndarë është 976.832.693 lekë. Ndërsa sipërfaqja e kompensuar, e njohur me vendimet e aplikimeve të shqyrtuara, është 99.361 m2 (10 ha), e vlerësuar financiarisht tokë truall dhe 313.115 m2 (31,3 ha), e vlerësuar financiarisht tokë bujqësore.
Sipërfaqja e shpërndarë nga fondi i tokës në dispozicion të ATP-së për kompensim fizik është 471.935 m2 (47,2 ha), tokë bujqësore.
Në zbatim të kuadrit të ri ligjor, të hyrë në fuqi në vitin 2016, si dhe njëkohësisht falë sistemit të ri WEB-GIS që po implementohet nga ATP, për aplikimet e shqyrtuara deri më tani janë evidentuar 3 raste me mbivendosje të sipërfaqeve të njohura për kompensim me vendime të ndryshme të ish KKKP-ve.
Për këto raste të evidentuara me mbivendosje të së drejtës për kompensim, ATP ka vijuar procedurat për ekzekutimin e vendimit në pjesët që nuk kanë mbivendosje.
Për pjesën që është me mbivendosje, Agjencia ka depozituar vlerën përkatëse në një llogari të veçantë bankare, e cila, pas zgjidhjes përfundimtare të mbivendosjes, me marrëveshje me njëri- tjetrin ose në rrugë gjyqësore, do t’i paguhet subjektit, sipas përcaktimeve në nenin 18të ligjit nr. 133/2015 për “Trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.
ATP fton të gjithë subjektet e vendimeve përfundimtare të vlerësuara financiarisht, që të paraqiten pranë zyrave të saj, për të aplikuar duke plotësuar dhe depozituar dokumentacionin përkatës.
Deri tani, ATP ka dhënë 11.2 mln euro dhe 58.5 hektarë tokë
Referuar kuadrit të vjetër ligjor, rezulton se, gjatë nëntë proceseve të mëparshme për kompensimin e pronës të realizuara nga ish-AKKP (sot ATP) gjatë viteve 2005-2014, në periudha të qeverive të ndryshme, sipërfaqja e kompensuar financiarisht rezulton të jetë 159.016,56 m2 tokë truall (15,9 ha) dhe vlera totale e fondit të kompensimit financiar të shpërndarë është 4.373.640.814 lekë.
Ndërsa, referuar kuadrit të ri ligjor, të hyrë në fuqi në vitin 2016, rezulton se Agjencia e Trajtimit të Pronës deri më tani ka shpërndarë një fond prej 1.522.149.306 lekësh, si dhe ka shpërndarë nga fondi fizik në dispozicion të ATP-së një sipërfaqe prej 584.571 m2 (58,5 ha) tokë bujqësore.
Me fondin financiar dhe fizik të realizuar tani, sipas ligjit të ri, janë kompensuar përfundimisht vendime të ish-KKKP-ve, të cilat kanë njohur të drejtën e kompensimit për sipërfaqet si më poshtë: tokë truall 131.500 m2 (13,2 hektarë) dhe tokë bujqësore 313.115 m2 (31,3 hektarë). Me kuadrin e ri ligjor, ATP ka shpërndarë një fond toke prej 58,5 hektarësh.
ma.me