Mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të ashpra. Gazeta ‘Dita’ raporton se Jozefina Topalli dhe deputeti Mhill Fufi janë përplasur, ndërsa ajo ka shprehur kritika për reuzltatin e zgjedhjeve lokale.
Ndërkohë që ish-kryetarja e Kuvendit po fliste, duke thënë se demokratët kanë marrë shumë më pak vota në rang kombëtar, deputeti Mhill Fufi ka ndërhyrë duke i vënë në dukje Topallit një gabim të vjetër të saj.
Mësohet se Fufi ka përmendur emërimin e Lefterie Luzit në krye të KQZ, si njëri i besuar i Jozefina Topallit.
“Dita” raporton se Fufi është shprehur se ‘e besuara e Topallit’ nuk është më në krah të PD-së.
Për të shuar gjakrat ka ndërhyrë kreu i PD, Lulzim Basha, i cili u ka kujtuar të dy deputetëve se janë jashtë temës së diskutimeve.
Të shtunën, Topalli ka sulmuar përmes Facebook Bashën duke thënë se PD ka arritur një rezultat humbjeje të thellë si ai i vitit 1991. Kundër saj reagoi pak ditë më parë kreu i PD Dega Shkodër, Ramiz Çobaj.