Kryetarja e Parlamentit Italian Laura Boldrini në javën kundër dhunës ndaj grave postoi një status në rrjetin social Facebook që shkaktoi debat dhe reagim nga drejtuesit e lartë të Facebook. Duke postuar statuset e komentuesve, Boldrini, e cila fyhej dhe kërcënohej me fjalë të rënda deri terroriste dhe thirrje për ta vrarë, ju drejtua me një pyetje publikut italian dhe idhtarëve të fjalës së lirë; Lexoni këto komente dhe më thoni, kjo është liria e shprehjes?
Revolta e zonjës Boldrini u pasua me kërkesën për t’u ulur në takim nga drejtuesit e Facebook në përpjekje për t’u vënë fre të shfrenuarve nga goja dhe mendja. Argumenti i Boldrinit dhe mbështësve të saj online është se në emër të lirisë së shprehjes nuk mund të shkelet e drejta e njeriut për të mos u kërcënuar dhe shantazhuar as nga njerëz të vërtetë dhe aq më pak profile falso që fshihen pas anonimatit.
Marria e shkrimeve pa fakte, sulmeve me sfond politik apo personal dhe komentuesve që shkruajnë çfarë u kalon ndërmend në emër të shthurjes së pluralizimit të mendimit duhet të marrë fund. Ashtu si në Itali, edhe në Shqipëri duhet reaguar ndaj të ashtuquajturëve “vrasësve” të padukshëm të rrjeteve sociale, sepse ata kanë emra, mbiemra, familje, bashkëshortë, fëmijë dhe janë të njohur në rrethet sociale.
Kultura e vjelljes virtuale nuk duhet toleruar dhe as injoruar, sepse në asnjë rrethanë komentet kërcënuese dhe fyese nuk mbrohen nga e drejta për t’u shprehur sidmos kur bëhen qëllimisht nga individë me interesa financiare, që hedhin baltë dhe romuze në kurriz të dinjitetit të personave publikë.
Ajo cfarë bëjnë profilet e anonimëve që në jetën reale përfaqësojnë interesat e familjarëve që punojnë në sistemin e drejtësisë dhe ndjehen të sulmuar nga reformat e ndërmarra është e kuptueshme, por edhe e dënueshme. Gjykatat, kur të fillojnë të japin drejtësi në këtë vend duhet të gjykojnë edhe frymëzuesit e dhunës dhe shantazhuesit e Facebookut apo websiteve “pushkë”. Cilido do të ndjehet i përmalluar nga mungesa e sulmeve dhe fyerjeve mund ta zgjidhë duke u kërkuar njerëzve ta shajnë sa herë të dojë në profilet e tij ose të asaj. Por, të paktën të mos propagandojnë në emër të të lirisë së shprehjes, shkelësit e të drejtave të njeriut dhe lirisë për t’u mbrojtur.
Christiane Amanpour pak ditë më parë u kërkoi publikisht sponsorizuesve dhe mbështetësve financiarë të braktisin portalet që prodhojnë stuhi klikimesh me lajme të pavërteta, të sajuara dhe që mbjellin urrejtje. Inictiativa të tilla nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë e vërtetë, punën në kërkim të së vërtetës, ballafaqimin e fakteve dhe hulumtimin me qëllim gjetjen e përgjegjësve apo shkelësve të ligjit. Edhe komentuesit e urrejtësve që nuk firmosin më në borderotë e institucioneve të shtetit kur partia e tyre është në pushtet, pavarësisht se cfarë pandehin nuk mbrojnë lirinë e shprehjes. Ata/ato thjesht nuk duhen injoruar, por duhen ndëshkuar si dhunues të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut.