Nga Mero Baze
Sali Berisha gënjen për Remzi Hoxhën. Unë i kam telefonuar Sali Berishës pasditen e një dite pas marrjes së Remzi Hoxhës nga SHIK dhe shoqërimi i tij në rajonin e policisë Nr.3 në Tiranë. Nexhmedini, vëllai i Remzi Hoxhës, më ka ardhur në zyrë bashke me ortakun e Remi Hoxhes dhe më kërkuan të pyesja çfarë mund të ishte bërë me Remziun. Unë kam pyetur në telefon brenda një ore gjithë kupolën e shtetit, që nga shefi i Komisaritit Nr.3, Gjergj Jorgo e deri tek Sali Berisha.
I pari, Gjergj Jorgo, pranoi se SHIK ka sjellë një kosovar tek qelia, por nuk është në dijeni se kush është. Zakonisht, tha, i mbajnë 24 orë. Pas 24 orëve nuk dinte më asgjë se kush ishte ai që kishin sjellë dhe ku ishte. Aleksandër Meksi si kryeministër dhe Agron Musaraj si ish-ministër Rendi nuk kishin asnjë dijeni, por ishin të qartë në shpjegimet e tyre, se ishte punë e SHIK-ut.
Vetëm dy persona më janë përgjigjur njëlloj dhe më kanë bërë të njëjtat pyetje. Ata ishin Sali Berisha dhe Bashkim Gazidede. Të dy më kanë pyetur, ende pa më dhënë përgjigje, se ku e njoh Remzi Hoxhën dhe ua kam shpjeguar si ishim njohur. Të dy më kanë pyetur pa më dhënë ende përgjigje ku është, se ku e njihja unë ortakun e Remzi Hoxhës dhe ua kam shpjeguar.
Të dy më kanë lënë të kuptoj të mos përzihem në këtë punë se “mund të jenë lojëra shërbimesh” dhe ai ortaku i tij “të ketë kujdes”. Dhe të dy, në fund më kanë thënë, “ne në fakt nuk dimë gjë ku është”, edhe pse më shumë më kanë drejtuar pyetje ata, sesa unë atyre.
Një kolegut tim gazetar që i kërkova ndihmë ta ripyeste Berishën për këtë çështje, Ylli Rakipit, po ashtu i kishte ribërë disa prej këtyre pyetjeve, pastaj i kishte thënë se mund të ishte agjent i UDB-së dhe nuk duhej përzier në këtë punë. Kjo, e gjitha dy ditët e para. Më pas nuk të jepnin më asnjë përgjigje, pasi mesa duket u kishte “vdekur në duar”.
Sali Berisha ka thënë për një Tv lokal të Kosovës se për herë të parë për atë i ka folur Adem Demaçi. Përveç Gazidedes që mund t’i ketë raportuar në kohë vdekjen, besoj se personi i parë i interesuar direkt tek Sali Berisha për Remzi Hoxhën jam unë. Dhe nga përgjigjet e tij jam bindur se dinte gjithçka dhe ishte në siklet të thoshte të vërtetën e hidhur.
Spërdredhja e tij, herë duke thënë se për atë nuk kasha dëgjuar kurrë e herë që i ka thënë i pari Adem Demaçi, është shenjë e turbulencës që ai ka për këtë krim. Në fakt i pari i ka folur Ibrahim Rugova qyshkurse Remziu ishte gjallë. Rugova i ka dorëzuar Berishës një letër, që Remziu ja kishte çuar Rugovës dhe ku i shprehte shqetësimin për bashkpunimin e Berishës me vendet fqinje, dhe Serbinë, letër që mund të ketë piketuar Remziun si njeri problematik për regjimin.
Shto pastaj dhe shoqërinë e tij me grupe idologjike të majta që kishin kërcënuar me vdekje Sali Berishën dhe bëhet më e qartë arsyeja përse e ndaluan. Përse fshehën krimin, që mund të jetë dhe aksidental, është ende e paqartë dhe duhet të hetohet, sa është ende gjallë Sali Berisha. E sigurtë është se njeriun e krimit, ai e mbrojti duke e mbajtur ende drejtor edhe pasi ishte i dënuar nga Gjykata per kete krim. Ky tipi që flet për dekriminalizimin.!