Një Palestinë e pavarur me kufijtë e saj të para vitit 1967 është e vetmja shpresë për një paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, deklaroi sot presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
“E vetmja mënyrë për zgjidhje të përhershme të paqes në Lindjen e Mesme është një Palestinë e lirë dhe e pavarur me kryeqytet Jerusalemin Lindor”, tha ai gjatë një takimi për Jerusalemin që po mbahet në Stamboll.
“Paqja në rajon është e pamundur pa e shëruar këtë plagë të Lindjes së Mesme”, shtoi më tej Erdoğan.
Shumë shtete, në mesin e të cilave edhe Turqia kanë bërë thirrje për një zgjidhje “dy shtete”, të bazuar në kufijtë që kanë ekzistuar para vitit 1967, atëherë kur gjatë luftës arabo-izraelite ky i fundit okupoi Bregun Perëndimor, Ripin e Gazës, Lartësirat e Golanit dhe Gadishullin e Sinait.
Erdoğan tha gjithashtu se situata palestineze ka paraqitur bazë edhe për tensione të tjera në rajon për të shtuar se “politikat e represionit kundër vëllezërve palestinezë që datojnë nga vitit 1948 janë në rritje e sipër”.
Erdoğan kritikoi Kombet e Bashkuara se kanë dështuar plotësisht në zgjidhjen e kësaj çështjeje tejet të rëndësishme.
“Të përqafosh çështjen e Palestinës, të mbrosh Jerusalemin, është detyrë e përbashkët për të gjithë myslimanët, një detyrim i përbashkët”, tha Erdoğan si kundërpërgjigje ndaj propozimit izraelit për të ulur zërin gjatë thirrjes së Ezanit.