Nga Ben Andoni
Ëndrra e një Evrope të Bashkuar, që do ishte një zë përcaktues në skenën ndërkombëtare, tashmë e ka zënë përçartja e njësisë kaotike të njëzet e tetë shteteve, që shpesh i kundërvihen njëri-tjetrit. Bashkimit Evropian, që e kemi idealizuar aq shumë, tashmë jo vetëm i mungojnë autoritetet , por s’ka më as tagrin e respektuar në nivel global prej performancës së institucioneve të saj.
Ndërkohë në Shqipëri diskursi politik e ka sfondin e vetëm, para të cilës ngre fabulën e vet të së ardhmes. Ka një ankth politik, por edhe një lojë e të dy forcave politike që e paraqet hapjen e negociatave me BE-në si fundin e një makthi gati tre dekadash. Në fakt, gjithnjë e më shumë, BE-ja po e zbeh kuptimin për masën e shqiptarëve që janë ndërgjegjësuar për realitetin e këtij stadi, aman ka fituar terren te politika, që artikulimin për të e quan si përkushtimin më të madh ndaj vendit. Vetëm se përkushtimi matet me vepra dhe dy forcat tona politike e kanë treguar sesa kanë bërë realisht për këtë rrugë. Për hir të së vërtetës, politika shqiptare mbetet de jure dhe de facto, pengesa më e madhe e vendit drejt integrimit evropian. Dhe, kur ua hap sytë që të kthehen në realitet, ashtu si bëri përfaqësuesi i CDU-së pak ditë më parë, edhe ai nuk mbetet pa ofendime. Politika duket si bash e interesuar për këtë realitet. Për të ardhur keq, është se përfaqësuesit e Partisë Socialiste që kanë maxhorancën dominuese, ashtu si ata të Partisë Demokratike para tyre nuk arritën të bëheshin bashkë dhe ta bënin realisht të implementueshme Reformën në Drejtësi, një nga sfidat më të mëdha demokratike. Ascila nga partitë tona nuk i shmangu të fortët e Kuvendit, që për çdo të enjte na kërcënojnë pa ua bërë syri tërr nga parlamenti. Ashtu si pretendimet për një administratë të pavarur, që mbetet me militantë që të heqin sytë, po t’ua prekësh sado pak partinë që i mban në punë. Janë një mal i tërë problemesh, që s’kanë nevojë për retorikat e stërgjata të Ramës me fshatarët e stërlodhur dhe ngrefosjet pa sens të kryetarit të Opozitës Basha.
Larg tyre, Shqipëria e ka të vështirë të marrë dakordësinë për hapjen e negociatave, nëse vendimi nuk do jetë një konjukturë dhe një përpjekje shumë dashamire, që Shqipërisë t’i jepet një dorë për të vazhduar pastaj udhën e stërgjatë me plotësimin e kapitujve.
Por, a na duhet më të vërtetë Evropa?! Është pak cinike që këtë ta thotë Shqipëria, elita politike e të cilës është aq e korruptuar, kurse njerëzit aq të etur për Kontinentin. Politika jonë mbetet tallësja më e madhe e sloganit evropian që bënë shqiptarët në dhjetor të vitit 1990: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”
Shqipëria , në fakt, dështimin më të madh thelbësor për integrimin evropian e ka në modelin e saj ekonomik, që është i pakonfiguruar e që në këtë mënyrë nuk mund ta ndihë vendin drejt zhvillimit. Ajo nuk i kanalizon si duhet burimet vendase ashtu si nuk ofron mundësi për qytetarët e saj, që njësoj ikin e ikin nga vendi me ritme të pandalura.
Shqipëria në thelb ka mungesë demokracie. Paradoksalisht, anëtarësimi në NATO dhe detyrat e shumta për në BE jo nuk na kanë bërë më demokratikë, por përkundrazi në disa raste na ka treguar shumë regresivë. Të mendosh gjithë ata të inkriminuar në Ligjvënës dhe në pushtetin lokal të zë tmerri, ashtu si masa e madhe e kanabisit, që zë sot paragrafët e para të fjalimeve të presidentit të vendit dhe kryeministrit. E të shtosh se në Shqipëri janë vrarë demonstrues dhe rastet e korrupsionit nuk mbarojnë deri te numrat e parë të politikës është e tepërt të vazhdosh. Edhe më keq akoma, Evropa po largohet sepse Ligjvënësit tanë që duhet të prodhonin një matricë ligjesh që ta bënin hyrjen në Evropë sa më të lehtë në shumë raste duket se nuk kanë prekje fare me popullin. Një shembull ishte Reforma e Territorit, që e ka shtuar kaosin administrative më shumë, kur shikon shërbimet sociale.
E gjithë kjo të bën të gjykosh se njerëzit sot hapjen e negociatave dhe anëtarësimin e mendojnë si një rrugë që do t’i shpëtojë nga e keqja që i rrethon kudo apo ku njerëzit e thjeshtë kujtojnë se vetëm Ambasadorët dhe institucionet e BE-së, do t’ua zgjidhin hallet paçka se nuk janë shqiptarët që i votojnë apo i zgjedhin ata!
Një logjikë më pragmatiste na bën të mendojmë se rruga e sotme për BE-në është një rrugë e gjatë, por më shumë akoma me kahun që po merr sot BE-ja, neve na bëhet më e vështirë dhe disi e kotë. Askush s’mund të thotë sot më siguri maksimale në realitetet e reja nëse do të vazhdojë të ekzistojë më apo jo Evropa e Bashkuar! Kjo energji e humbur mbase do të ishte më mirë që Shqipëria ta kalonte e të merrej thjesht me veten e saj duke plotësuar vlera dhe ngritur standarte. Pra të kishte bërë një Reformë Territoriale që t’i funksiononte, të bënte efikase Reformën në Drejtësi, të bëheshin strategji më të thjeshta për zhvillimin ekonomik dhe të mbështetej pjesa tjetër e varfër e Shqipërisë, pa humbur energji si tanimë me sherrin politik dhe sidomos me retorikat për dobitë e hapjes së negociatave të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera.
E përsërisim këtë, sepse BE-ja, NATO dhe institucionet e huaja janë bërë thjesht një gogol ku elitat tona politike kërcënojnë kundërshtarët dhe mundohen të venë në gjumë popullin me atë aspiratë të ndërgjegjshme dhe të pastër që kanë shqiptarët. Jo më kot, një nga zyrtarët kryesorë të akuzuar për Gërdecin, Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, pas katrahurës, do të shprehej: ”Demontimi është kërkesë e NATO-s”! Njësoj se Ligji i Plehrave, ku thuhej se BE-ja ishte dakord, derisa do të ishin ata vetë që do ta përgënjeshtronin.
Prej vitit 2008, Bashkimi Evropian ka koleksionuar nga një krizë në një tjetër pa e ditur se si të përballet realisht. Këto kriza, duke filluar me borxhin në Greqi, konfliktin e ashpër në Ukrainë, Turqia, arroganca e vazhdueshme diplomatik e Putinit, kriza e refugjatëve që ka gjasë të përsëritet tregojnë se shtetet e BE-së nuk janë në gjendje të zgjidhin problemet reale të BE-së.
Vetë procesi i zgjerimit është në një pikëpyetje, prej të çarave që po merr pikërisht nga vendet që realisht mbajnë kolonat e saj dhe që flet se e ardhmja e përbashkët tashmë duket utopi. Nëse tashmë kokën po e ngre problemi ekonomik jo vonë përplasjet do të jenë edhe politike. Parimet themelore që e mbanin dikur tashmë po harrohen sepse vetë demokracia po degradon nga konceptet bazë, në ato më interesa thjesht pragmatiste.
Ndaj, Shqipëria ka gjasa të mbetet sërish me gisht gojë, pa e kuptuar mirë, rrugën që ka zgjedhur për të ardhmen e saj. (Gazeta Shqiptare)