Përmes një deklarate nga ana e kreut të departamentit të sigurisë në PD Enkelejd Alibeaj, opozita ka hedhur akuza drejtuar qeverisë, duke thënë se vetëm brenda këtyre dy ditëve janë kapur nga policia e huaj dy ton drogë, një në Itali dhe tjetra në Greqi.
Alibeaj u shpreh se policia e huaj arrin të kapë 1 në 10 ngarkesa droge, duke lënë të nënkuptohet se pjesa tjetër kalon e qetë “kufirin”.
Në këto kushte, sipas opozitës, imazhi I vendit po dëmtohet dukshëm, madje edhe negociatat për hyrjen në BE po pengohen.
“Në tre ditët e fundit, 2 tonë drogë ka kaluar nga kufinjtë tanë për në Greqi dhe në Itali. 1 ton në Greqi, dhe 1 ton drogë në Itali, dhe këtu bëhet fjalë për sasinë e kapur nga policia. Kur raporti është; në 10 ngarkesa, policia fqinje arrin të ndalë vetëm njërën, përfytyroni sa drogë shqiptare ka kaluar këto ditë në Greqi dhe në Itali.
Ndërkohë Edi Rama e mohon, thotë se nuk ka drogë, nuk kemi problem me drogën, edhe pse mbarë Europa është e shqetësuar, media italiane, greke, gjermane dhe BBC japin alarmin për hashashin shqiptar që po mbulon vendet e tyre. Droga dhe përfshirja e qeverisë në këtë biznes kriminal, është një realitet i frikshëm, që po inkriminon shoqërinë, po pushton rininë e shkollat, po shkatërron imazhin e vendit tonë, dhe është një prej mureve që po pengon integrimin europian të vendit. Vetëm një njeri ende nuk e kupton këtë gjendje të rëndë. Ky është Edi Rama, i cili duke e mohuar drogën po vetëshpallet si kumbari i saj.”- deklaroi Alibeaj.