Ngrini dorën nëse edhe ju keni një fëmijë të vogël në shtëpi që ju torturon deri në momentin që e zë gjumi. I ngrita edhe unë të dyja duart. Sikur të shikonit se si më kalojnë mbrëmjet, teksa e shkatërruar, me flokët e pakrehur dhe gati qaj me ulërimë, tregoj edhe një herë nga fillimi një përrallë të mallkuar që nuk ka fund. Me shumë mundësi nuk jam e vetmja.
Mirëpo, sipas shkencëtarëve, fëmijët e vegjël duhet të flenë deri në 13 orë. Paçi fat mama! Kjo është pjesa më e vështirë. Unë personalisht ndiej një trysni shumë të madhe psikologjike kur nuk jam e aftë t’i bëj fëmijët e mi të vegjël të flenë kaq shumë. Si t’ia bëj? Le të thërrasim sërish shkencën.
Shkencëtarët tashmë prej vitesh kanë punuar me një projekt shumë të rëndësishëm për të na ndihmuar ne prindërve ta kemi më të thjeshtë për të vënë fëmijët në gjumë. Bëhet fjalë për një muzikë, e cila është studiuar edhe nga mjekët përkatës dhe supozohet të funksionojë si me magji. Kënga titullohet “Wirghtless” dhe, sipas ekspertëve, është shpëtimi i prindërve.
A funksionoi? Së pari, kjo këngë ngjan njësoj me ato këngët shoqëruese që linin adoleshentët në gjimnazin tim kur thithnin bar. Së dyti, është kënga më e mërzitshme në botë dhe momenti i vetëm kur një fëmijë mund të relaksohet është kur e zë gjumi. Së treti, mua më vjen për të vjellë nga ajo këngë.
Kënga është rreth 8 minuta e gjatë dhe përdor edhe disa zhurma nga natyra për të qenë sa më pranë realitetit. Pasi u lodha pafund duke u kërkuar fëmijëve të mi ta dëgjojnë këtë këngë në qetësi dhe m’u desh shumë kohë të ulërija për këtë gjë, po, fëmijët i zuri gjumi.
Pra, çdo ditë, çdo javë del nga një teori e re e shkencëtarëve se si të vendosim fëmijët në gjumë dhe sërish fëmijët flenë vetëm atëherë kur atyre u flihet. Pasi ti nuk i lejon 20 minuta që ata të flasin apo të lëvizin, sigurisht që do të vijë një moment që t’i zërë gjumi sepse nuk kanë nga të shkojnë. Më duhet ajo muzika e çuditshme për herë? Aspak!
Shkenca është e mrekullueshme, mos më keqkuptoni, por jo për të gjetur çelësin e gjumit të fëmijëve, sepse të gjithë janë të ndryshëm dhe nuk ka një formulë për këtë. /Blitz.al/