E ndërsa ditën e djeshme Shqipëria u prek nga i ftohti siberian që ka mbërthyer vendin, nisën edhe reshjet e para të dëborës në zonat malore të vendit.
Por ditën e sotme, duket se të paktën zonat e thella në veri të vendit dhe në juglindje janë mbuluar nga dëbora.
Sipas të dhënave nga ARRSH, këto zona janë të kalueshme vetëm me zinxhirë, duke iu bërë thirrje drejtuesve të automjeteve që të bëjnë kujdes dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit, raporton express.Kështu, për shkak të prezencës së akullit në rrugë, akset më problematike paraqiten:
Pukë-Fushë Arrëz si dhe Fushë Arrëz-Qafë Mali-Kukës. Po ashtu me prezencë akulli në rrugë është edhe aksi Qafë Mali-Bajram Curri.
Veç të tjerave, në veri të vendit si në Pukë, Kukës, dhe Dibër, në rrugët locale ka prezencë akulli dhe kërkohet që të lëvizet vetëm me zinxhirë. Megjithatë, rruga Morinë-Fushë Dukagjin- Tuneli i Kalimashit aktualisht është e kalueshme.
Ndërsa në juglindje, zona më problematike është ajo e Korçës, ku prezencë akulli ka në të gjithë akset rrugore, por që të gjitha janë të kalueshme me zinxhirë.
Nga ana e tyre autoritetet kanë vënë në punë në të gjitha këto zona borëpastrueset, të cilat që ditën e djeshme kanë nisur që të hedhin kripë dhe skorie, për të normalizuar situatën.