Armando Meta
Pa mëdyshje tashmë mund të thuhet se ka një sulm të organizuar dhe të dirigjuar jo vetëm nga PD-ja, por edhe nga segmente të larta në kupolën drejtuese të sistemit të drejtësisë, për të zhbërë Reformën në Drejtësi. Pas PD-së, janë shfaqur kthjelltazi edhe gjyqtarët, ata të cilët, po tentojnë dëmtimin e Reformës, duke ankimuar në Gjykatën Kushtetuese jo vetëm Vetting-un, por tashmë edhe ligjin për “Statusin e Gjyqtarëve”, pjesë e paktës së Refomës në Drejtësi. Mësohet se Unioni dhe Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë janë bërë bashkë dhe kanë vendosur të ankimojnë në Gjykatën Kushtetuese ligjin për “Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që hyri në fuqi me datë 22 nëntor 2016. Sipas tyre, ligji në fjalë bie ndesh me Kushtetutën, e për rrjedhojë duhet shfuqizuar. Padia e re pritet të dorëzohet në Kushtetuese gjatë kësaj jave. Sipas gjyqtarëve anti Reformë, ligji krijon vakum institucional dhe cënon hapur mundësinë e promovimit në karrierë të gjyqtarëve të shkallës së parë dhe Apelit.
Në padi theksohet se, nga zbatimi i këtij ligji mund të krijohen situata kolapsi në mënyrën sesi do të funksionojnë institucionet e drejtësisë. Për këto arsye gjykatësit do të kërkojnë edhe pezullimin e ligjit, me qëllim që ai të mos japë efekte, pasi sipas tyre do të shkaktojë pasoja të pariparueshme në të ardhmen. Hyrja në fuqi e këtij ligji, është shoqëruar me “ngrirjen” e funksioneve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili nuk mund të emërojë, transferojë apo promovojë gjykatësit. Në fakt këtu duhet kërkuar edhe arsyeja se përse gjyqtarët anti Reformë po kërkojnë shfuqizimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo për faktin se KLD-ja e famshme e drejtuar nga Presidenti Nishani, në përbërje të të cilit ka edhe gjyqtarë të lakuar qartazi si të korruptuar, nuk mund të bëjë më emërime dhe transferime siç ka bërë deri më tani, ku në pjesën më të madhe këto emrime dhe transferime kanë qenë thjeshtë pazare dhe qoka politike.
Ajo që vihet qartazi është fakti se sulmet kundër Reformës në Drejtësi nuk janë aspak sporadike, por të mirëorganizuara dhe me regji politike. Gjyqtarët kanë marrë zemër edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zbatimin e vetting-ut, vendim ky që po mban peng vendin në negociatat mes Shqipërisë dhe BE-së.