Rrëzimi i avionit të kompanisë boliviane të çarterave Lamia ka tronditur futbollin, pasi në të udhëtonte skuadra braziliane Chapecoense, finaliste e Copa Sudamericana. Është aksidenti i fundit i një serie tragjedish ajrore që ka goditur botën e sportit, duke filluar që më 1949.
Më 4 maj 1949, aksidenti ajror në Superga shkaktoi 31 viktima. Mes tyre ishin lojtarë, teknikë e drejtues të klubit të Torinos, plus gazetarë sportivë. Një skuadër e tërë e zhdukur, e cila plagosi zemrat e të gjithë italianëve.
Pak muaj më pas, më 22 prill, një avion bie në Ishujt Azore. Ndër viktimat edhe Marcel Cerdan, boksier francez i lindur në Algjeri. Ishte kampion bote në peshën e mesme, me shumë admirues, mes tyre edhe miti i muzikës franceze, Edith Piaf, me të cilën kishte marrëdhënie romantike. Para se të ndeshej me Jake LaMotta, i cili e kishte mundur pak kohë më parë, Cerdan i hipi avionit për të takuar këngëtaren, në New York, pa mundur të mbërrinte kurrë…
Më 6 shkurt 1958, avioni që kishte ardhur nga Beogradi rrëzohet, pas tri tentativash për t’u ngritur, në pistën me borë në aeroportin e Munihut, ku kishte ndaluar për furnizim. Në të ishte edhe skuadra e Manchester United, e cila kthehej nga ndeshja me Crvena Zvezdën.
Tetë lojtarë vdesin, ndër 44 viktima gjithsej. Ishte një skuadër e re, që premtonte shumë për të ardhmen. Midis të mbijetuarve edhe një farë Bobby Charlton, të cilin më pas do ta njihte gjithë bota.
Më 16 shkurt 1961, e gjithë skuadra amerikane e patinazhit artistik humbi jetën kur avioni Boeing 707 u përplas pranë aeroportit Zaventem të Brukseslit. Skuadra ishte rrugës për në Pragë, për të marrë pjesë në kampionatin botëror. Midis viktimave ishte 9 herë kampionia e SHBA, Maribel Vinson-Owen, kampionia në fuqi e botës për femra, Laurence Owen, dhe kampioni i botës për meshkuj, Bradley Lord.
Përsëri në Gjermani, këtë herë në Bremen, më 1966. Gjatë uljes, mjegulla e dendur bëhet shkak i përplasjes së avionit ku ishte kombëtarrja italiane e notit. Vdesin shtatë notarë, trajneri dhe një gazetar.
Më 13 tetor 1972, një aeroplan uruguajan, me të cilin udhëtonte skuadra e rugby-së Old Christians, u përplas në Ande. 29 të vdekur, ndërsa 16 të mbijetuar u shpëtuan thuajse dy muaj më vonë.
Më 1993, një aksident ajror në Gabon i mori jetën gjithë kombëtares së Zambias dhe pesë drejtuesve.
Gjashtë vjet më parë, të njëjtin fat kishte pasu skuadra më e njohur peruane e futbollit, Alianza Lima, viktimë e një aksidenti ajror në kryeqytetin e Perusë.
Në dhjetor 1980, në Poloni, humbën jetën 14 boksierë të kombëtares amerikane.
Katastrofa më e madhe ka ndodhur në SHBA, në nëntor 1970, kur vdiqën të gjithë lojtarët e skuadrës së futbollit të Marshall University, plot 37.
Më 25 tetor 1999 fati i keq godet golfistin amerikan Payne Stewart, i cili humbi jetën kur avioni i vogël privat u rrëzua teksa fluturonte nga Florida në Teksas.
Më 10 mars 2015, notarja franceze Camille Muffat, velistja Florence Arthoud dhe boksieri Alexis Vastine vdesin në një përplasje helikopterësh në Argjentinë, ku do të merrnin pjesë në një reality show.
Tuttosport/d.i.