Italia do të mbajë më 4 dhjetor referendumin kushtetues që mund t’i japë fund karrierës politike të kryeministrit Matteo Renzi e të spostojë lëvizjen euroskeptike të “5 yjeve” më pranë pushtetit.
Reformat kushtetuese propozojnë zbehjen drastike të rolit të Senatit, një lëvizje kjo që sipas Renzit do të thjeshtëzojë vendimmarrjet e do të sigurojë një qeveri të qëndrueshme. Kundërshtarët mendojnë se, në këtë mënyrë, procesi legjislativ do të bëhet më i komplikuar, duke reduktuar kontrollet e balancat.
Renzi ka premtuar të dorëhiqet në rast humbjeje dhe përballet me kundërshti të ashpra nga të gjitha kampet opozitare. Gati çdo sondazh i zhvilluar në dy muajt e fundit tregon në përparësi kampin kundër ndryshimeve.
Fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane, me shumë gjasë do t’ia vështirësojë gjërat kryeministrit italian. Renzi ishte një prej të paktëve udhëheqës botërore që mbështeti publikisht Hillary Clintonin, e triumfi i republikanit e ka vënë kreun e ekzekutivit italian në një pozitë të vështirë diplomatike.
Autori dhe gazetari politik i “Corriere della Sera”, Massimo Franco thotë: “Mendoj se Renzi e ekzagjeroi, kur e lidhi fatin e tij me rezultatin e referendumit. Por mendoj se ai e ka kuptuar tani, që kjo është çorientuese, pasi nënkupton se Italia është në rrezik, por unë nuk mendoj se vendi është në rrezik për shkak të referendumit”.
Gjithsesi, një numër i madh italianësh mbeten të pavendosur, çfarë nxit edhe më shumë besimin e qeverisë se vota “pro” do të fitojë e do të ndikojë në shuarjen e pasigurive politike, të cilave i druhen tregjet financiare.
Edhe pse jo totalisht të bindur nga propozimet e Renzit, disa vendas thonë se do t’i mirëprisnin ndryshimet për t’i dhënë një shtysë burokracive të ngadalta të Italisë e procesit të vendimmarrjeve.
“Me shumë gjasa do të votoj për ‘po’-në. Por nuk jam plotësisht i sigurtë se reformat do të jenë vërtet të dobishme”, tha shtetasi italian.
Por shumë italianë mendojnë se Renzi, i cili erdhi në pushtet në vitin 2014, nuk i ka përmbushur premtimet e tij për të shkatërruar strukturat e vjetra poltike e për të rimëkëmbur ekonominë.
Renzi ka vendosur autoritetin e tij pas propozimeve për t’i kufizuar pushtetin Senatit, njëra prej dhomave të Parlamentit italian. Plani i tij përfshin uljen e numrit të senatorëve, nga 315 në 100, me të gjithë këta që do të emërohen dhe jo të zgjidhen, siç bëhet deri më tani, si dhe t’u kufizojë atyre fuqitë për të ndikuar në legjislativ.
Që prej vitit 1948, Kushtetuta italiane ka ofruar një balancë perfekte pushteti mes dy dhomave të Parlamentit, duke çuar shpeshherë në një bllokadë legjislative në Romë. Renzi pretendon se ulja e rolit të Senatit, së bashku me reformat e tjera për të forcuar pushtetin ekzekutiv, do të çlirojë më në fund qeveritë dhe do t’i bëjë ato të qeverisin. Më e rëndësishmja është se ai ka deklaruar se do të dorëhiqet, nëse vota e këtij referendumi shkon kundër tij.
shqiptarja.com/d.i.