Jeni mësuar që të dëgjoni vetëm për burra që bëhen makthi i grave duke i përndjekur, për seks apo për lidhje dashurie? Ka edhe femra që e bëjnë këtë.
I tillë është rasti i një 27-vjeçareje nga Tirana e cila ka përndjekur për disa kohë një burrë madje edhe e ka kërcënuar 39-vjeçarin me inicialet R.D.
Burimet nga Policia e Tiranës thanë për “Panorama” se gruaja 12 vjet më e vogël, i dërgonte vazhdimisht SMS në telefon burri që e përndiqte, duke u kthyer në makth për 39- vjeçarin po nga Tirana.
Duket se vajzës i kishte rënë keq në kokë për këtë person dhe teksa pa se nuk po ia arrinte qëllimit, për të krijuar lidhje me të, e ka kërcënuar 39-vjeçarin edhe me SMS edhe në rrugë.
Por deri këtu historinë e dinin vetëm ata të dy, deri sa një ditë të bukur, 27-vjeçarja me inicialet Sh.L, është paraqitur në Komisariatin numër 1 për të bërë kallëzim duke pretenduar se ishte ajo e dëmtuara dhe sikur 39-vjeçari e kishte përndjekur dhe kërcënuar.
Padia e saj është rrëzuar pasi Policia arriti të zbulonte mashtrimin e vajzës duke e arrestuar.
SH.L do të akuzohet për përndjekje, por edhe për kallëzim të rremë, shkruan “Panorama”.
“Më datë 26.11.2016, u arrestua në flagrancë shtetësia Sh.L vjeç 27, banuese në Tiranë, pasi dyshohet se ka përndjekur e kërcënuar verbalisht dhe me sms, shtetasin R.D vjeç 39 banues në Tiranë, dhe ka bërë kallëzim të rremë në polici. Nenet 121/a, 272 e 305/b të Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë./a.m.