Fjalimi i Angela Merkel në konferencën me kryeministrin e vendit Edi Rama ishte një mesazh pozitiv për të gjithë shqiptarët. Kancelarja tha se Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore vitet e fundit dhe ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në fushën e reformave, një rrugë që sipas Merkel duhet të vijojë më tutje. Më tutje Merkel ka theksuar se për kryerjen e reformave, sidomos atë në drejtësi, do të duhet forcë dhe guxim, duke shtuar se Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë.
Fjala e Plotë e Angela Merkel:
Më lejoni ta përshëndes dhe njëherë zotin Edi Rama për një vizitë sërish në Gjermani. Ne duam të flasim sot për zhvillimet më të fundit politike në Shqipëri. E bëjmë rregullisht këtë shkëmbim bisedimesh. E zhvillojmë sot në ditën kombëtare të Shqipërisë dhe dëshiroj që kryeministrin dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, t’ju shqiptoj urimet më të përzemërta në ditën kombëtare të tyre dhe t’ju uroj zhvillim të mbarë. Shqipëria është bërë një partner i rëndësishëm që para kthesës politike 26 vjet më parë, është bërë një aleate e fortë në NATO, me të cilën ne ndihemi të lidhur ngushtë edhe në marrëdhëniet bilaterale.
Ne konstatojmë që Shqipëria është shndërruar në mënyrë rrënjësore vitet e fundit dhe që ka ndërmarrë hapa të rëndësishme në fushën e reformave dhe që i ndërmerr edhe më tej ato. Komisioni Europian i ndjek në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet në Shqipëri dhe në raportin e fundit për vendet aspirante e ka vlerësuar këtë zhvillim dhe unë dëshiroj ta uroj shumë përzemërsisht kryeministrin Edi Rama për këtë zhvillim.
Republika Federale e Gjermanisë është përpjekur që ta mbështesë Shqipërinë në zhvillimet e tanishme, p.sh duke dërguar përfaqësues në misionin EURALIUS, gjë që ka kontribuar që reforma juridike të mund të vihet në funksionim. Është e rëndësishme që kjo rrugë e nisur të vazhdojë. Komisioni Europian ka përmendur 5 prioritete dhe këtu bën pjesë zbatimi i qëndrueshëm i reformës së drejtësisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Këto janë hapa të përhershme që duhen kryer, duke patur parasysh edhe zgjedhjet që ka. Shqipëria do të vihet në kontakt me OSBE dhe unë besoj që këtu janë arritur gjëra të rëndësishme dhe ai që i shikon zhvillimet në Shqipëri e di që këtu kërkohet shumë forcë, shumë guxim për ta ndjekur këtë rrugë dhe ne do të flasim me njëri-tjetrin edhe më hollësisht se si do të ndihmojë Gjermania për më tej. I uroj përzemërsisht mirëseardhjen zotit Edi Rama!/java/a.k