Konsullata turke në Prizren ka rënë sot pre e një sulm me koktej molotovi. Ngjarja ndodhi sot herët në mëngjes. Ndërkohë, lajmi u konfirmua për Express, nga kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.
“Po rreth orës 4:00 të mëngjesit të sotëm objekti i Konsullatës së Turqisë në Prizren është sulmuar, ku janë shkaktuar dëme të vogla materiale dhe nuk ka persona të lënduar. 5 persona janë ndaluar si dhe të njëjtëve u është shqiptuar masa e paraburgimit prej 48 orëve. Hetuesit e forenzikës kanë dalë në vendngjarje, kanë grumbulluar prova dhe ekspertiza do të përcaktojë se me çka është sulmuar ky objekt”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij, hetuesit policorë të Drejtorisë rajonale të Policisë së Kosovës dhe Prokuroria kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme lidhur me hetimin e rastit dhe si pasojë e tyre tashmë janë ndaluar pesë persona të dyshimtë për këtë rast. Ndërkohë nuk dihet nëse sulmi në këtë konsullatë ka të bëjë me pakënaqësitë të qytetarëve rreth vendosjes së flamurit turk përkrah atij kombëtar. I njëjti flamur, ai turk, u largua sot nga shtiza nga ana e disa qytetarëve.