Humbja nga Genoa nuk do të kishte qenë aq e hidhur për Juventusin, sikur të mos kishte lënë pasoja dëmtimesh. Mbrojtja e bardhezinjve ka hyrë në krizë, pas dëmtimit të Dani Alves dhe Leonardo Bonuccit. Të dy do të qëndrojnë për një kohë të gjatë jashtë loje. Braziliani, i cili ka frakturë të peronit të majtë, do të mungojë tre muaj. Italiani, me dëmtim muskulor në kofshën e majtë, do të jetë jashtë fushave për dy muaj.
Të dy i bashkohen mbrojtësit veteran Barzagli, gjithashtu jashtë loje për dy muaj, ndërkohë që Chiellini është në kërkim të formës pas ardhjes nga dëmtimi.
Dëmtimi i Alvesit ndryshon edhe planet e merkatos për bardhezinjtë, pasi tani Lichtsteiner nuk mund të shitet te Barcelona në janar.
Të gatshëm për të luajtur janë Benatia dhe Rugani, çka nuk mund të ofrojë garanci, pasi edhe marokeni është një i dëmtuar kronik, që mbetet shpesh jashtë loje, ndërsa i riu italian vazhdon të ketëmbi vete etiketën e talentit të së ardhmes, por nuk i është dhënë mjaftueshëm besimi.
Dhjetori do të jetë një muaj zjarri për Juventusin, me ndeshje të rëndësishme midis kampionatit e kompeticioneve të tjera. Bardhezinjtë do të presin në fundjavë surprizën Atalanta, më pas Dinamon e Zagrebit në Champions League, për të vazhduar me derbin kundër Torinos, Romën dhe Superkupën e Italisë, kundër Milanit, më 23 dhjetor, në Doha të Katarit.
d.i.