Titulli i filmit misterioz, sfidues dhe të bezdisshëm të Sergei Loznitsa, siç ka thënë regjisori, ishte inspiruar nga një roman i vitit 2011 me autor WG Sebald, në të cilin një personazh i quajtur Austerlitz, pas një kohe të gjatë që ishte sjellë në Britani si refugjat prej çerdheve të fëmijëve, e sheh një film propagandues nazist për kampin e Theresienstadtit dhe mendon se e njeh nënën e tij në ekran.
Ky është një libër që pjesërisht lidhet me ngurtësimin dhe anulimin e historisë të krijuar nga qarqet zyrtare, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Natyrisht, e ka edhe një tjetër kuptim: titulli në përshtypje të parë duket sikur “Auschwitz”.
Është një mashtrim gjuhësor. Tmerret e shekullit XX janë larguar në varrin e pluhurosur të historisë, duke u bashkuar me betejat e shekullit XIX: Auschwitz-i është një fjalë që ka mundësi se një ditë do të ketë po aq pak ngarkesë sa ka Austerlitz. “Austerlitz” i Loznitsas është një studim dokumentar, pa gati asnjë dialog brenda, e që flet për fenomenin e rritjes së turizmit në kampet naziste të vdekjes në Gjermani.
Ai e rregullon pozicionin e kamerës në kampet e Dachau dhe Sachsenhausen, të cilat kanë numër të madh vizitorësh për shkak se ndodhen afër qyteteve të mëdha (respektivisht Münichut dhe Berlinit) dhe thjesht incizon turmën e mijëra turistëve derisa ata shikojnë përreth, bisedojnë me njëri-tjetrin, dëgjojnë audio-udhëzimet dhe bëjnë “selfie”.
Një grup prej tyre madje bën “selfie” para shenjës që thotë “Arbeit Macht Frei” (Puna ju bën të lirë). Natyrisht ata janë të veshur me rroba të zakonshme dhe është e qartë që nuk ka kufizime lidhur me rrobat e tyre siç do të mund të ndodhin nëse do të ishin duke ecur në kishë apo xhami dhe madje edhe sjellja e tyre nuk manifeston hapur ndonjë jorespekt apo kaos.
Është thjesht normale. Është njësoj sikur ata të jenë duke parë Kullën e Eiffelit apo vilën e Anne Hathaëay. Gjëja më e jashtëzakonshme e më luhatëse janë fanellat. Sloganet të godasin përtej ekranit: “Rrëfim ‘cool’ vllaçko”, “Gjërat djallëzore ndodhin”, “Jeta ishte më e relaksuar kur ‘Apple’ dhe ‘Blackberries’ ishin thjesht frute”, “Pa forcë, nuk ka progres”.
Dhe megjithatë, filmi është larg prej ndonjë ankese se këto vende unike të rëndësishme historike janë duke u degraduar nga industria e turistëve…, përgatiti Koha. (b.an)