Pas vdekjes së të riut Kristo Panajoti, policia ka ndalur dy punonjës të firmës, që ka kryer punimet në rrugën Skelë-Ujë i Ftohtë “Xh & M Sh.p.k”.
Të ndaluar janë Ilirian Tahmazi me detyrë përgjegjës i sigurimit teknik dhe Tomorr Cena me detyrë inxhinier zbatues i projektit.
Ilirian Tahmazi dhe Tomorr Cena akuzohen për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë, pasi nuk morën masat për “gropën e vdekjes” në Vlorë, që i mori jetën të riut.
Përveç dy punonjësve, policia ka arrestuar dje edhe drejtuesin e mjetit BMW X6, shok me viktimën, Petraq Beja, 21-vjeç.
Sipas policisë, Beja ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, pasi ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë ka rënë në gropë.
Ndërkohë, që vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes si dhe për zbulimin e shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.
Para dy ditësh, gropa e hapur në mes të rrugës, në dalje të qytetit të Vlorës, në drejtim të Orikumit, ku po ndërtohet Lungomare, u bë shkak për aksidentin, ku humbi jetën 18-vjeçari, Kristo Panajoti.
I riu udhëtonte në një automjet BMW X6, i cili drejtohej nga kushëriri i tij, Petraq Beja, 21-vjeç.
Gropa e hapur prej punimeve që po kryhen për ndërtimin e shëtitores, është rreth 3 metra e thellë dhe gati 4 metra e gjerë.
Në rrugë nuk ka tabela sinjalizuese dhe asnjë barrierë tjetër sigurie, pavarësisht se ai segment është pjesë e rrugës kryesore që lidh Vlorën me pjesën tjetër të jugut të vendit.
shqiptarja.com/d.i.