Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se kriza aktuale në Greqi nuk duhet të shkaktojë “reagime të tepruara” në SHBA, edhe pse zyrtarët amerikanë janë duke monitoruar situatën.
“Sa i përket popullit amerikan, kjo nuk është diçka që do të shkaktojë tronditje të madhe në sistem. Por, padyshim se është e dhimbshme për popullin grek dhe mund të ketë efekt të rëndësishëm në normat e rritjes në Evropë”, ka thënë Obama.
Ai i ka bërë këto komente në një konferencë për media në Uashington, së bashku me Presidenten e Brazilit.
Greqia ka afat deri në mesnatë që t’i paguajë Fondit Monetar Ndërkombëtar 1.6 miliardë euro, në të kundërtën falimenton.
Kreditorët ndërkombëtarë i kanë bllokuar Greqisë fondet e ndihmës, për aq kohë sa ajo të mos bie dakord për reforma.