Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka befasuar paraardhësin e tij Fadil Canaj duke i akorduar “Çertifikatën për Shërbime të Dalluara” me motivacionin “Për merita të veçanta dhe veprimtari të shquar të treguar në fushën e Sigurisë Publike dhe për zhvillimin e vazhdueshëm të standardeve Policore të ofruara gjatë viteve të punës në shërbim të Policisë së Shtetit”.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, Zv.Ministri i Punëve të Brendshme, Z.Stefan Çipa, Drejtues të Lartë të të dy institucioneve përkatëse, Ish-drejtorë të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ish kolegë si dhe familjarë të Z.Canaj.
Në fjalën e rastit Z.Çako, ka vlerësuar kontributin dhe figurën e lartë të Z.Canaj në vitet e karrierës së tij dhe ka falënderuar të gjithë trupën e Policisë, duke i hapur kështu rrugë vlerësimit të vazhdueshëm të gjithë punonjësve të Policisë.
“Karriera e Z.Fadil në një farë mënyrë ka qenë deri diku dhe si udhërrëfyese për shumë punonjës të tjerë Policie edhe për mua dhe jam i bindur se sa herë kalon në çdo stemë policie në çdo uniformë, në çdo godinë policie ai ndjen dhe prezencën e vetë sa çndjen edhe Policia prezencën e kontributit të Z.Fadil, ndaj në emër të të gjithë efektivave të Policisë së Shtetit të uroj shëndet e mirësi me familjen me dashamirësit, me shokët dhe përherë kontributi Juaj për Policinë e Shtetit do jetë shumë i mirpritur dhe i vlerësuar”u shpreh Çako.
Zv.Ministri i Punëve të Brendshme Z.Stefan Çipa, ka shprehur respektin dhe nderimin më të lartë për Z.Canaj dhe për të gjithë punonjësit e Policisë për sakrificën e tyre dhe arritjet në Policinë e Shtetit.
“Përulem me respekt ndaj Z.Fadil, ndaj të gjithë punonjësve të Policisë që kanë qenë më parë, që janë aktualisht, si dhe për brezin e ri të Policisë”, u shpreh zv.ministri Çipa.
Nga ana e tij Z.Fadil Canaj ka shprehur mirënjohjen e tij, për këtë nderim nga ana e Policisë së Shtetit dhe ka vlerësuar arritjet në vijim të institucionit.
“Kjo çertifikatë që më jep Drejtori është edhe e juaja, shokëve që këmi punuar, e shokëve të mi që kanë ardhur këtu me mua që janë në pension si puna ime. Është edhe e familjes time që sot është e pranishme këtu e cila ka sakrifikuar shumë nga përditshmëria.
Jam i emocionuar se kam kaluar gjithë jetën në polici dhe kudo ku kam qenë mendjen e kam patur te policia.
Kam hyrë 21 vjeç, pastaj peripecitë i dimë se i kemi kaluar bashkë i kanë kaluar dhe të tjerët si puna ime, por rëndësi ka që jam polic në gen.
Doja t’ju jepja një sugjerim: “Duajeni Policinë,respektojeni dhe mos e cënoni dinjitetin e saj edhe uniformën. Është shumë e rëndësishme, se tani që jam në qytet unë dëgjoj më shumë sesa dëgjoja kur isha në punë dhe ju dëgjoni më pak sesa dëgjojmë ne.
Qytetarët i duan këta policët e rinj tani mesa dëgjoj e shikoj. Janë më me edukatë janë më në rregull, janë vërtetë fytyra e re e Policisë së Shtetit!”, tha Fadil Canaj.
MA.ME