Policia e Vlorës ka asgjësuar 352 bimë narkotike dhe ka shpallur në kërkim një person gjatë dy operacioneve. Gjatë një kontrolli të ushtruar kundër kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Kuç, policia ka arritur të zbulojë dhe asgjësojë 65 bimë narkotike kanabis dhe ka shpallur në kërkim poseduesin e tyre, Besim Baraj, 55 vjeç.
Bimët narkotike u konstatuan në një parcelë në lagjen “Hekal” në stanin e 55 vjeçarit, ku lartësia e tyre arrinte deri në 130 cm. Ndërkohë gjatë një kontrolli të ushtruar në fshatin Armen, policia zbuloi dhe asgjësoi edhe 7 parcela me 287 bimë narkotike. Lartësia e bimëve narkotike arrinte deri në 150 cm.
Sakaq, lëndë narkotike kanabis sativa janë asgjësuar edhe në Pukë. Policia e këtij qyteti ka zbuluar në dy fshatra parcela të mbjella me kanabis. Bëhet fjalët për 877 rrënjë kanabis të mbjella në fshatrat Qerret dhe Fierzë. Bimët ishin mbjellë në bjeshkët e Miliskaut. Policia ka bërë asgjësimin e tyre ndërsa po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.