Arrest në shtëpi me mbikëqyrje elektronike ka qenë masa e sigurisë për dy pedagoget e departamentit të historisë në fakultetin e shkencave shoqërore në universitetin e Shkodrës, Roakin Daberdaku dhe Simon Lufi, ndërsa ndaj 3 personave të akuzuar si sekserë gjykata ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg. Kështu Vehbi Bala, Ermal Lera dhe Ndoc Deda do vazhdojnë te qëndrojnë ne burg.
Gjykata e shkallës së parë ka caktuar gjithashtu masën e sigurisë detyrim paraqitje edhe për 3 studentët e arrestuar dhe babanë e njërës nga të akuzuarit për korrupsion.
Seanca gjyqësore u zhvillua me dyer te mbyllura për shkak te hetimit. Në gjykatë është paraqitur vetëm pedagogu Roakin Daberdaku i cili ka mohuar akuzat e ngritura ndaj tij, ndërsa është shprehur i gatshëm për të bashkëpunuar me drejtësinë me qëllim zbardhjen e akuzave ndaj tij.
Nga ana tjetër pedagogu Simon Lufi nuk u paraqit ne gjykatë për shkak të gjendjes shëndetësore pasi ndodhet i shtruar ne spitalin e Shkodrës. Ai u mbrojt nga avokati, ndërsa pala mbrojtëse e dy pedagogeve e ka cilësuar si te paligjshëm arrestimin pasi nuk ka baza se pedagogët të kenë lidhje me akuzat dhe me personat e akuzuar si sekserë.
Gjithashtu pedagogu Roakin Daberdaku ka paraqitur si garanci pasurore 10 mln lekësh të vjetra për lirimin e tij. Në fund gjykatësi Arbër Çela ka vendosur masën e sigurisë arrest në shtëpi me mbikëqyrje elektronike për dy pedagogët.
Shqiptarja/d.i.