Nga Ilva Tare
Për afro 72 orë Tirana e mes Nëntorit pati vështirësi të strehonte afër 1000 shqiptarë që jetojnë jashtë dhe që zgjodhën të vijnë me shpenzimet e tyre për atë që u pagëzua me titullin “Samit I Diasporës”. Përvec lajmit të mirë për restorantet dhe hotelet e kryeqytetit, prania e qindra profesionistëve, patriotëve dhe qytetarëve që kanë ndërtuar një jetë jashtë Shqipërisë por që duan të kontribuojnë për atdheun e tyre është një ngjarje për t’u shënuar.
Në ditët kur me qindra mijëra shqiptarë hedhin llotaritë me shpresë për t’u arratisur nga vendi ku ka humbur shpresa, disa të tjerë që kanë gjak shqiptar në vena por që kanë lindur në Boston apo Michigan ose që kanë dëgjuar gjyshërit e tyre që janë zhvendosur në kontitente larg Shqipërisë, erdhën për t’u dëgjuar dhe kontribuar me njohuritë dhe lidhjet e tyre. Me qindra mijëra të tjerë vendosën të mos merrnin pjesë, për arsyet e tyre dhe nëse do të ketë një samit të dytë duhet gjetur mënyra të vijnë edhe ata.
Ndërsa një kategori tjetër, ajo që e përfaqëson në mënyrën më të ulët të mundshme kombin shqiptar, populli I facebook-ut dhe rrjeteve sociale u shfry me sharje e sulme ndaj atyre që lanë familjet dhe punët e përditshme për të parë me sytë e tyre cfarë po ndodh në Shqipëri dhe si mund t’ë kthejnë dicka mbrapsh për vendin e tyre. Kishte të mllefosur me samitin edhe nga ata që endeshin nga njëri panel në tjetrin gjatë ditëve të dialogut me diasporën.
Në fund, shija që mbeti edhe falë vrerit të pajustifikuar të të pakënaqurve në rrjetet sociale, ishte përfitimi dhe shfaqja televizive që solli organizimi I samitit. Me elementin e spektaklit dhe përdorimit politik u mërzitën vecanërisht ata shqiptarë që nuk do të votonin edhe po t’u jepej mundësia për qeverinë aktuale. Ajo cfarë nuk u analizua dhe nuk u tha publikisht është se pavarësisht të gjithave, ardhja e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit në Tiranë është një dritë shprese edhe për mendësitë e errëta që nuk arrijnë të shohin përtej bunkerit ideologjik apo patetik në kafkën e tyre.
Teza e ngritur mbi perceptime dhe debate pa etikë, se shqiptarët e urrejnë njëri-tjetrin dhe sidomos suksesin e tjetrit pas samitit të diasporës ndoshta nuk u rrëzua, por mund të konsiderohet si e tejkaluar. Energjia e shqiptarëve që ja kanë dalë në vende të huaja dhe mund të ndihmojnë atdheun e tyre është përfitimi më I madh dhe pa kosto I shoqërisë shqiptare që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend. Madje edhe I atyre që thonë se kanë zgjedhur të kontribuojnë për Shqipërinë dhe e mallkojnë nga mëngjesi në darkë përmes frëngjive të sulmit të Zuckenberg-ut.
Kushdo u mërzit nga inisiativa për të mbledhur në Tiranë shqiptarë që duan t’u dëgjohet zëri dhe alternativat që sugjerojnë mund të qetësohet dhe t’I bashkohet grupimit të të mllefosurve. Ka plot portale me anonimë që financohen nga burime jo transparente me axhenda të qarta dhe interesa edhe më të kristalta. Le të dialogojnë në ato forume, sidomos tek pjesa e komenteve ku botohen vetëm sharësit dhe fshihen të ekuilibruarit. Në fund të fundit, edhe ata janë pjesë e Shqipërisë që ka me mijëra aryse pse ndodhet sot thuajse e fundit ndër vendet e rajonit me demokraci dhe institucione të dobta, me korrupsion galopant dhe drejtësi të munguar.