Kanë nisur reagimet e para ndaj deklaratave të Sali Berishës në Prishtinë për të ndryshuar standardin e shqipes.
Salih Kabashi, një intelektual i njohur, i cili ka drejtuar një nga mediat më të njohura anti-Millosheviç në vitet ‘90 me qendër në Lubjanë, “Republika”, por edhe poet e shkrimtar, në një prononcim për DailyNews.al, e cilëson këtë çështje si një “çmenduri berishiste”.
Zoti Kabashi, i cili është shumë aktiv në rrjetet sociale dhe kritik i mprehtë i qeverisjes së Kosovës, ka një qasje me stil dhe një mënyrë të shkruari shumë fine.
“Unë jam me mish e me shpirt për një gjuhë standarde. E kam përqafuar dhe instruktuar që në fillimet e viteve ’70. Në gjithë paraqitjet e mia me gojë e me shkrim qysh nga ajo kohë, kam folur e shkruar sipas standardit të përbashkët”, thekson Salih Kabashi, që megjithatë thekson se përmirësimet vetëm mirë i bëjnë gramatikës së shqipes. Por thekson se duhet pasur kujdes për konceptin e ndarjes.
“Mendimi im është se kërkesat për përmirësim të standardit janë të ligjshme dhe ato janë punë ekspertësh, ndërkaq thirrjet për krijimin e një standardi të ri verior-kosovar janë një anakronizëm e e çmenduri berishiste.
Ata që në Kosovë kërkojnë kosovarishten, janë pakicë e papërfillshme, por agresive, kryesisht janë sakat në të gjitha dialektet e nëndialektet e shqipes…”, tha gazetari dhe intelektuali i njohur i thirrur nga ne për një qëndrim në lidhje me idenë e Berishës./a.m.