Zbardhen lidhjet e ish-kryeministrit Berisha me skandalin e CEZ-it. Romeo Karaj, juristi përgjegjës i OSHEE-së për çështjen e arbitrazhit ka hapur kutinë e pandoras në Komisionin Hetimor për CEZ. Emri i tij është lakuar së shumti, pasi është konsideruar si dëshmitari kyç i zbardhjes së skandalit DIA-CEZ. Madje pas daljes në skenë të emrit të tij policia e ka marrë në mbrojtje për shkak të disa kërcënimeve që ai pati për të mos dëshmuar për këtë çështje.
Gjatë dëshmisë së tij në komisionin hetimor për privatizimin e CEZ, Romeo Karaj ka pohuar se zotëron dokumente që dëshmojnë se procesi i privatizimit të CEZ ka nisur që në vitin 2005-2006 dhe jo në 2008 kur u hap zyrtarisht tenderi. Sipas tij, sekserë mes çekëve të CEZ dhe qeverisë shqiptare ka qenë Nuel Kala, një person me lidhje të forta me qeverinë shqiptare. Kala për këtë marrëveshje ka përfituar 3. 6 milionë euro.
Për lidhjet mes Nuel Kala dhe ish-kryeministrit Berisha dhe ministrit Genc Ruli ka foto dhe dokumente. Vetëm në një muaj, mes Nuel Kala dhe ish-kryeministrit Berisha ka pasur mbi 100 telefonata, këto për të mundësuar privatizimin nga çekët të OSHEE-së. Por Nuel Kala, sipas dëshmitarit nuk ka qenë sekseri i vetëm. Përpara tij, ka pasur tentativa nga një tjetër shtetas. Hamza Merxhani një shtetas kosovar kishte bërë negociata mes CEZ dhe Berishës për të privatizuar kompaninë shqiptare të shpërndarjes së energjetikës, por kishte dështuar në këto negociata.
Lidhja e Berishës me skandalin CEZ vazhdon deri në fund. Ai ka pasur takime me Rebeka Gaskin e cila është drejtuesja e vetme e DIA-s që u ngarkua nga CEZ për mbledhjen e borxheve. Gaskin ishte pasuesja e Kastriot Ismailaj në krye të DIA-s. Sipas dëshmisë së Romeo Kara, Rebeka Gaskin është takuar me ish0kryeministrin Berisha në zyrën e tij me ndërmjetësimin e Kastriot Ismailajt, i cili tashmë është i arrestuar për aferat CEZ-DIA.
Dëshmia e ish-juristit të OSHEE në komisionin hetimor
“Pas arritjes së marrëveshjes së shtetit shqiptar dhe CEZ grup të datës 23 qershor 2014, ne na janë ofruar mijëra emaile që nuk i kishim, dhe që janë parë nga unë fillimisht në janar 2015. Kanë qenë disa emaile që më kanë shtyrë të mendoj se procesi i privatizimit nuk është ai për të cilin ne kemi ditur ligjërisht që paska nisur në vitin 2008 me një tender të hapur ndërkombëtar, por kam të dhëna në emailet që kam gjetur që për këtë proces ka patur tentativa që në vitin 2005 apo 2006.