Liridon Latifi, anësori i Skënderbeut qartazi këto vite po bën diferencën në Superiore. Lojtari me origjinë Kosovare ka kohë që është vënë nën shënjestrën e ekipeve të huaja. Duket se pas Olahinkës dhe Berishës, Latifi do të jetë lojtari i radhës që do të largohet për një shumë të madhe nga kampionët e Shqipërisë.
Burime të sigurta të “Panorama Sport” treguan dje se klubi “bardhekuq” po negocion me një skuadër spanjolle, që garon në La Liga. Për momentin emri i klubit nuk bëhet i ditur, por interesimi mësohet se është konkret dhe palët janë në bisedime intensive.
Për mesfushorin me tipare ofensive mësohet se Skënderbeu kërkon afërsisht 800 mijë euro. Të paktën, me këtë shifër klubi synoi ta shiste kosovarin edhe te FC Rostov në verë. Mirëpo, ndryshimi i drejtuesve të ekipit rus bëri që transferimi të dështoi.
Ekipi në “La Liga” nuk është i vetmi që është në garë për futbollistin. Astana, klub nga Kazakistani, ka shfaqur interes për shërbimet e lojtarit dhe konkurrenca deri në fund pritet t’i shërbejë për mirë Skënderbeut./a.m.