Prokuroria për Krime të Rënda dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Taulant Xhini 28 vjeç, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes në rrethana cilësuese të punonjësit të policisë, mbetur në tentativë” ndaj 4 personave, në bashkëpunim.
Ky shtetas është hetuar në mungesë dhe ngjarja për të cilën akuzohet ka ndodhur në dt. 28.04.2014 në fshatin Shëndëlli, në zonën pranë Butrinit, në Sarandë, kur disa oficerë të Policisë së Sarandës kishin marrë detyrë të arrestonin shtetasin Xhini, i cili në atë kohë ishte në kërkim, i akuzuar për veprën penale të “vrasjes me dashje”, të mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.
Pas informacionit operativ, sipas të cilit i kërkuari Xhini gjendej në zonën pranë shtëpisë së tij, forcat policore ndërmorën planin për arrestimin e tij. Pasi kryen vëzhgimin për disa orë, forcat policore u detyruan të largohen, pasi objektivi nuk po hynte në rrezen e tyre të vëzhgimit dhe kjo krijoi idenë se i kërkuari mund të mos ishte më aty.
Në momentin që grupet operacionale po largoheshin nga rrethimi, kundër 4 prej oficerëve të policisë janë drejtuar disa breshëri armësh. Fatmirësisht, plumbat e drejtuar oficerëve të policisë dëmtuan vetëm mjetet në të cilat sapo ata kishin hipur. Menjëherë pas sulmit me armë nga persona të panjohur në atë moment, forcat policore kanë marrë pozicion sulmi, por ndërkohë agresorët kanë mundur të largohen.
Menjëherë në vendngjarje ka shkuar edhe prokurori i Sarandës dhe janë kryer të gjitha veprimet proceduriale në vendin e ngjarjes. Më pas, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda. Nga kqyrja dhe analizimi i provave të mbledhura në vendngjarje, u evidentua fillimisht pozicioni nga ku ishte qëlluar kundër efektivëve të policisë. Në atë vend u gjetën gëzhoja, të cilat u përkisnin dy armëve të ndryshme automatike. Gjithashtu, ndër të tjera, u gjetën edhe dy bishta cigareje, të djegur deri në gjysëm.
Këto dy bishta cigareje iu nënshtruan analizave laboratorike. Në njërin prej bishtave u gjetën gjurmë ADN-je, të cilat i përkisnin shtetasin Taulant Xhini (kjo u provua pas analizës krahasuese me ADN-në e prindërve të tij). Ndërsa bishti tjetër i cigares i gjetur në vendngjarje nuk përmbante ADN-në e Taulant Xhinit. Për këtë arsye, provohet se vepra penale për të cilën akuzohet Taulant Xhini është kryer në bashkëpunim, por deri më tani nuk është përcaktuar se cili është bashkëpunëtori. Hetimi për të pandehurin Xhini është kryer në mungesë, pasi deri në këtë moment nuk është bërë i mundur arrestimi i tij.