Fondet e investimit vijuan rritje në nëntëmujorin e parë të këtij viti, duke e zgjeruar totalin e aktiveve me rreth 4.13% që nga fundi i vitit 2015.
Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, totali i aktiveve në fund të nëntëmujorit arriti në afro 69.76 miliardë lekë.
Ky treg dominohet kryesisht nga investimet në Obligacione Qeveritare, të cilat përbëjnë 65.14% të aseteve të fondeve, me një ulje prej 3.63% krahasuar me fundin e vitit 2015. Sipas AMF-së, numri i anëtarëve që kanë investuar në Fondet e Investimit deri në fund të shtatorit është 30,961.
Gjatë periudhës janar-shtator 2016, në tregun e Fondeve të Investimeve ushtruan aktivitetin e tyre tre fonde investimi, përkatësisht fondi i investimeve “Raiffeisen Prestigj”, fondi i investimeve “Raiffeisen Invest Euro” dhe fondi i investimeve “Credins Premium”.
Fondi i investimeve “Credins Premium” filloi aktivitetin e tij në datë 1.08.2016, nën administrimin e shoqërisë administruese “Credins Invest”.
“Credins Invest” është shoqëri Administruese e Fondeve të Pensionit dhe Sipërmarrjeve të Investimeve Kolektive”, e cila u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare më datë 30.05.2016, për të kryer veprimtari administrimi të aseteve të sipërmarrjeve të investimeve kolektive, krahas administrimit të fondeve të pensionit./