“Botime shembullore që nderojnë çdo bibliotekë”- kështu e ka cilësuar ministrja Kumbaro vlerësimin me Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë Lumo Skëndo 2015 dhe 2016, për botimin bibliografik “Libri Antikuar për Shqipërinë në Bibliotekën Françeskane” dhe botimin e koleksionit të revistës “Albania” të Faik Konicës.
Çmimet e shpallura nga Biblioteka Kombëtare, u ndanë mbrëmjen e hapjes së ekspozitës ““Identiteti kombëtar dhe diaspora”.
Duke vlerësuar përpjekjet e shtëpive botuese për një përkujdesje më të madhe estetike ndaj librit si dhe për të nxitur më tej botimet shqiptare dhe publikun shqiptar drejt bibliofilisë, Biblioteka Kombëtare, mbasi shqyrtoi përmes Jurisë së Çmimit të Bibliofilisë botimet e viteve 2015 dhe 2016, vlerësoi me:
Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2015, “Botimet Françeskane” për botimin bibliografik “Libri Antikuar për Shqipërinë në Bibliotekën Françeskane” të autorit At Vitor Demaj, OFM dhe autores Siva Kodheli, si një harmonizim vlerash të çmuara informuese, shkencore e bibliofilike duke pasuruar estetikisht kolonën e Botimeve Françeskane në prag të 100-vjetorit të themelimit.
Çmimin Kombëtar të Bibliofilisë – Lumo Skëndo 2016, “Botimet KULT” për koleksionin e revistës së mirënjohur “Albania” të Faik Konicës, si një botim anastatik bibliofilik par excellance, duke pasuruar bibliotekat tona me një nga monumentet më të çmuara të kulturës kombëtare, në përmbyllje të vitit kulturor “Faik Konica” të shpallur nga Federate Panshqiptare “Vatra”.
Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë “Lumo Skëndo” nga viti 2013 i është besuar Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. i akorduar për herë të parë në vitin 2006, është çmimi i vetëm që nxit dhe mbështet cilësinë estetike të botimeve shqiptare. Ky çmim i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike dhe intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe politikës shqiptare Lumo Skëndo (Mit’hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare./a.m.