Të martën në mbrëmje kryeministri pritet t’i përgjigjet interesimit të gazetarëve grekë për disa nga çështjet që preokupojnë të dy vendet, duke nisur nga marrëveshja e detit, tek çështja çame e deri tek arrestimi i dy nëpunësve të ministrisë së Jashtme shqiptare që transportonin tekste shkollore, të cilat Gjykata e Janinës i çmoi si materiale propagandistike.
Duhet thënë se paneli i gazetarëve në këtë emision kanë njohje shumë të mirë të marrëdhënieve shqiptaro-greke. Drejtuesi i emisionit Aleksis Papagelas ka qenë për shumë vite korrespondent i televizionit Mega në Uashington, Pavlos Cimas po ashtu, gazetar me origjinë arvanite ka njohje të thellë mbi çështjet shqiptaro-greke si dhe gazetari Tasos Teloglou, i cili ka ndjekur në veçanti çështjen çame duke qenë i pranishëm me intervista edhe në mediat shqiptare.
Qasja e tij ka qenë kundër linjës zyrtare dhe për këtë jo vetëm ai por edhe dy gazetarët e tjerë janë etiketuar si proamerikanë. Gjithsesi ballafaqimi të martën në mbrëmje me kryeministrin shqiptar ka zgjuar interes për të parë deri ku shkon vendosmëria e kryeministrit të Shqipërisë për të prezantuar qasjen e tij si një politikë në funksion të slloganit “zero probleme me fqinjët”.
ma.me