Shefi i Përgjithshëm i Ushtrisë turke, gjeneral i përgjithshëm, Hulusi Akar, ka thënë sot se aleanca e Turqisë me NATO-n nuk do të dobësohet, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një fjalim të mbajtur gjatë Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Stamboll, Akar ka thënë: “Lufta jonë kundër terrorizmit do të vazhdojë. Ashtu sikurse ishim të vendosur më parë, edhe tani jemi të vendosur. Asnjë armik i jonë i përbashkët nuk do të mund të përfitojë nga ajo ngjarje tragjike (tentativa e FETÖ-s për grusht shteti). Kërkojmë nga shtetet aleate të jenë në bashkëpunim të plotë me ne. Ky është një kërcënim shumë serioz.”
Duke theksuar se edhe pse me shumë zhvillime negative Turqia ka dhënë maksimumin për stabilitetin e rajonit, Akar në vijim tha se kriza në Siri është një përplasje e madhe dhe se ajo është një nga tragjeditë më të mëdha pas luftës së dytë botërore, ku më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë humbur jetën.
Akar ka nënvizuar se nëse opinioni ndërkombëtar do të merrte për bazë fjalët e Turqisë për zgjidhjen e problemit në Siri, ai do të ishte zgjedhur me kohë. Ai tha se më shumë se 5 milionë sirianë tashmë ndodhen jashtë vendit të tyre, ku 3 milionë janë në Turqi.
Ndërsa lidhur me luftën kundër terrorizmit të Irakut, Akar ka thënë se Iraku nuk është në gjendje të luftojë me organizata terroriste si DEASH apo PKK. Ai ka thënë se forcat irakiane të sigurisë kanë nevojë për ndihmë. Akar ka theksuar gjithashtu se stabilitetit dhe tërësia territoriale e Irakut janë shumë të rëndësishme për Turqinë.
Duke vënë në dukje rëndësinë e operacionit për shpëtimin e Mosulit, Akar ka thënë se ky operacion është i një rëndësie të veçantë për të ardhmen e Irakut dhe ka një vend të veçantë edhe për Turqinë.
Akar ka thënë se nuk do të lejojnë kurrë PKK-në të jenë aktiv në zonë dhe se këtë gjë nuk duhet ta lejojë as Iraku. Ai ka theksuar se kjo organizatë terroriste nuk përfaqëson popullin kurd.
Gjenerali i Përgjithshëm Akar në vijim të fjalës së tij duke folur për tentativën për grusht shteti më 15 korrik tha se qëndrimi i NATO-s është shumë i rëndësishëm për Turqinë. Ai ka theksuar se aleanca e Turqisë me NATO-n nuk do të dobësohet, përkundrazi do të vazhdojë të forcohet.
DEASH-i ka organizuar 500 sulme në Turqi dhe është bërë shkas për vdekjen e 400 civilëve të pafajshëm, tha Akar dhe më pas vazhdoi: “Në saj të ofensivës ‘Mburoja e Eufratit’ ne mundëm të parandalojmë këto sulme. Me anë të këtyre operacioneve ne synojmë të sjellim siguri dhe stabilitet për popullin tonë. Ne mbështesim tërësinë territoriale të Sirisë.”
Akar në përfundim të fjalës së tij duke theksuar edhe njëherë punën e palodhur të ushtrisë turke në luftën kundër organizatave terroriste, ka kërkuar nga vendet anëtare të NATO-s të bashkëpunojnë në luftën kundër terrorizmit, citohet i përgatitur nga Koha. (b.an)