Mbledhja e sotme e Komisionit të Sigurisë është shoqëruar me debate sa i takon buxhetit për modernizimin e Forcave të Armatosura. Në një seancë dëgjimore para deputetëve të Komisionit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ka sqaruar ecurinë e këtij procesi.
Por debati ka kaluar nga buxheti për mjetet e Ushtrisë, deri tek pagat e punonjësve, e më tej tek refuzimi i një dite më para nga ana e presidentit Nishani për t’i dhënë një mandat të tyre Jeronim Bazos në krye FA.
Kreu i Shtetit refuzoi të firmosë dekretin për riemërimin e Bazos në këtë detyrë, propozim i bërë nga kryeministri Rama.
Deputeti Spartak Braho ka pyetur ministren Kodheli për këtë refuzim, e cila u përgjigj se “Presidenti Nishani ka tagrin e vet të refuzojë”. Sakaq, ajo shtoi “Nuk jam njoftuar zyrtarisht për refuzimin. Refuzimi i shkon kryeministrit”.
DEBATET
Braho: Në Sazan del tym që do thotë se bëhet stërvitje. Ti e shkrep ndonjëherë po këta policët e Saimir Tahirit ehë…
Kodheli: Në 2017 kemi objektiva ambicioze. Do dyfishojmë misionet në Afganistan. Dhe në KFOR. Sot në mesdite anija “Oriku” do të niset në Egje në ndihmë të emigrantëve nga lindja e mesme. Do të kemi rritje 5-7% të pagave të ushtarakëve. Kjo është rritja e parë që pas të 2014-ës. Do modernizojmë Forcat e Armatosura. Sasia prej 5 mijë armësh automatike qëdo marrim nga Italia vlen 10 mln euro. Italia e ka kaluar me ligj në parlamentin italian. Besoj miratohet ditët e para të dhjetorit. Do blejmë mjete të blinduara, sepse tani lëvizim me mjete të lehta. Brenda 10 ditësh do lidhim marrëveshje me SHBA për 250 mjete të blinduara.
Dogjani: Rritja e pagave është e papërfillshme, një nënoficer 30 mijë lekë.
Braho: Nga këto armët që dhurojnë italianët më del 2 mijë euro 1 pushkë…
Kodheli: Aq është.
Braho: Përbën problem për Forcat e Armatosura mosdekretimi nga Nishani i Bazos?
Kodheli: Presidenti Nishani ka tagrin e vet të refuzojë. Nuk jam njoftuar zyrtarisht për refuzimin. Refuzimi i shkon kryeministrit./bw/a.k