Paneli i VI-të i organizuar nga MZHETTS në kuadër të Samitit të Diasporës zhvilloi diskutimet me temë “Sipërmarrja e të rinjve dhe kultura e start up-it”. Të pranishëm në këtë panel nën moderimin e zotit Dritan Mezini, CEO në DM Consulting, ishin: Genti Beqiri, Drejtor i Agjencisë Shqiptare të Investimeve (AIDA), Uljan Sharka, CEO dhe themelues @Crystal Apps Ltd në Itali, Rinol Alaj, themelues Rippls App dhe bashkëthemelues – Oda Lab/Mobile & Web Applications Software Development Company (USA/Kosovë), Kosovare Krasniqi, Senior advisor në BOOST Global Innovation AS (Norvegji), Mimoza Bytyqi, bashkëthemeluese dhe CMO e Solaborate (SHBA/LA) dhe Denisa Balla, zëvendëspresidente e Qendrës Shqiptaro-Kanadeze të Ekselencës (Kanada). Panelistët folën për sukseset e kompanive të tyre si dhe diskutuan mbi bashkëpunimin e mirë që duhet të krijojë individi me qeverinë për të vënë në jetë idetë inovative. Personat në sallë të cilët ndoqën me interes panelin ngritën pyetje të ndryshme ku morën dhe përgjigjet përkatëse.
Gjithmonë ka lindur pyetja, tha zoti Mezini gjatë fjalës së tij, se si eksperiencat e mira që ndodhin në botën e zhvilluar të start up-eve t’i marrim dhe t’i implementojmë në Shqipëri. “Këtij qëllimi i ka shërbyer një cikël vizitash të cilat zhvillohen në vende si SHBA-të, Berlin, Islandë, Izrael, gjithmonë me idenë se çfarë duhet bërë për të ndryshuar pikërisht këtë klimë të start up-it dhe inovacionit në Shqipëri, gjithmonë në nivelin e biznesit privat, në nivelin e një sipërmarrësi”, tha ai. Në Shqipëri, tha më tej z. Mezini, ka disa start up-e që janë aktive, por ka shumë pak nga ato që kanë kaluar kufirin e Shqipërisë, pra që të jenë globale. Fuqia e start-up-it është se ti nuk njeh vetëm veten, por njeh dhe vendin, e prezanton atë nëpër botë dhe krijon besim për të gjitha ato kompani që lindin dhe prodhohen këtu në vend.
Genti Beqiri, Drejtor i Agjencisë Shqiptare të Investimeve (AIDA)
Fjalën e radhës e mori z. Genti Beqiri i cili bëri një prezantim të shkurtër të institucionit që ai drejton, AIDA, dhe ndihmën që ofron ky institucion në mbrojtjen e inovacionit dhe zhvillimin e start up-it, si detyrë kryesore.
Dua të përmbledh me pak fjalë atë që institucioni që unë drejtoj mund të bëj në fushën e start-up-eve. AIDA është një agjenci promovimi për investimet e huaja. Ne jo vetëm i promovojmë, por edhe i ndihmojmë, i orientojmë, pasi jemi kthyer në një dritare unike për investimet e huaja dhe jo vetëm. Një tjetër objektiv kryesor i kësaj agjencie është zhvillimi i SME-ve dhe inovacionit në SME. Ne trajtojmë me fondet qeveritare disa sektorë të ndryshëm të zhvillimit të SME-ve në fusha të caktuara, ku do të veçoja dhe ndihmën që ne japim për start –up-et e moshës “0-2 vjeç”, pra gjithë kompanitë e saporegjistruara që i përkasin ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mund të përfitojë nga fondet e agjencisë si në aspektin start –up edhe në atë të arritjes së tregjeve të huaja. Z. Beqiri përmendi ndihmën që ka dhënë dhe jep AIDA si institucion: a) rritjen e prezencës së kompanive të ndryshme në panairet më të mëdha kombëtare dhe ndërkombëtare; b) ndërtimi i një inkubatori biznesi, per t’i dhënë një shtysë një ideje apo një ambienti për të gjithë ata që duan të merren me sipërmarrjen që janë në hapat e para fillestare; c) një tjetër aspekt i ndihmës është e ashtëquajtura Triple Helix, bashkëpunimi midis tre segmenteve; akademisë (universitetet) + institucionet qeveritare (AIDA) + sipërmarrja).
Sugjerimi që duhet të bëj mbi startin e këtyre kompanive duhet të jetë nga fusha akademike sepse studentët që sapo mbarojnë universitetin në fakt priren drejt punës në një institucion publik për të nisur eksperiencën e tyre të parë në punë, por pse mos secili prej këtyre studentëve të ketë shpirtin e sipërmarrjes që vjen edhe e trashëguar nga familja apo nga biznesi familjar, për t’u zhvilluar më pas me ide të reja, me fusha të reja dhe koncepte të reja inovative?!
Ideja
Japonia mbahet për sistemin më të mirë të sipërmarrjes. Në çdo qytet të madh apo të vogël në Japoni ka një muze i cili quhet “Muzeu i Sipërmarrjes”, ku inovatorë të ndryshëm lënë idetë e tyre duke i pasqyruar në mënyrë të vazhdueshme si një muze. Ashtu siç mund të jetë një muze që mban brenda vlera kulturore dhe artistike, ashtu edhe ky muze mban veprat e çdo sipërmarrësi. Më pas aty shkojnë shkolla të ndryshme dhe njihen me idetë sepse shumë ide përkthehen në biznes, transformohen në një produkt, pra vijnë nga këto qeliza. Të gjithë pronarët, drejtuesit e kompanive të mëdha e të vogla i shohin këto muze për të marrë ide dhe për ta implementuar këtë ide inovative në produkt final.
Kosovare Krasniqi, Senior advisor në BOOST Global Innovation AS (Norvegji)
BOOST Global Innovation, është një kompani private norvegjeze. Prej vitit 2011 vepron në Kosovë, ku janë implementuar projekte të ndryshme në Ballkan prej disa vitesh, janë hapur qendrat e inovacionit, pasi kjo është shumë e nevojshme për sipërmarrësit e rinj.
“Personalisht kam qenë e përfshirë në projektet në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, ku jemi munduar të përfshijmë universitete, kompani dhe organizata. Një nga projektet më të mëdha në Kosovë ka qenë projekti për zhvillimin ekonomik në Kosovë, ku në atë projekt ka qenë prioritet themelimi i Qendrës së Inovacionit në Prishtinë, një prej qendrave të para të këtij lloji në Kosovë. Projektet që janë implementuar në Kosovë dhe rajon kanë pasur si qëllim krijimin e vendeve të reja të punës me fokus të veçantë tek rinia dhe gratë. Start up-et e reja e kanë pasur fokusin tek teknologjia e informacionit dhe komunikimit, pra idetë e biznesit në atë qendër janë vetëm të IT. Përveç asaj kemi pasur dhe programe të tjera ku i kemi dhënë shumë mundësi grave për të hapur biznese të reja ose për të përforcuar ato ekzistuese, konkretisht në Kosovë. Kemi stimuluar me programe të ndryshme gratë për sfidat që kanë sipërmarrësit e rinj apo edhe binzeset e tjera në Kosovë, është tregu i jashtëm sidomos për gratë që punojnë me punë dore, me produkte vendore ju kemi mundësuar një butik online E-commerse për të shitur produktet e tyre për tregun e jashtëm”- tha znj. Krasniqi.
Ajo theksoi gjatë fjalës së saj se edhe shtetet e afërta si Kosova, Shqipëria, Maqedonia, të kenë një bashkëpunim më të madh, duke kontribuuar më tej për ecurinë e projekteve, mos të pritet gjithmonë ndihma nga Norvegjia apo Amerika që të financojnë projekte të tilla, por edhe shtetet tona të kontribuojnë në këtë drejtim.
Mimoza Bytyqi, bashkëthemeluese dhe CMO e Solaborate (SHBA/LA)
“Start –up-i është e ardhmja e Kosovës, e Shqipërisë, pse jo e gjithë botës, pasi ndihmon në zhvillimin e ekonomisë, gjithashtu ndihmon edhe të rinjtë që duan dhe janë në kërkim të mundësive të punësimit. Kemi hasur në vështirësi përsa i përket edukimit, pasi në Kosovë njerëzit teorikisht janë shumë të fortë, por përsa i përket praktikës nuk kanë mundësi se ku ta bëjnë praktikën. Në këtë drejtim ne kemi zhvilluar një sistem shumë të mirë përsa i përket praktikës, ku të gjithë studentët e çdo universiteti vijnë dhe bëjnë praktikën tek ne. Pra duhen trajnime intensive në gati një vit, dhe ky është një investim shumë i madh nga ana e kompanisë sonë për rininë e Kosovës. Por si përfundim jemi shumë të kënaqur me rezultatet e tyre, pasi rinia e Kosovës, Shqipërisë dhe e gjithë Ballkanit ka nevojë për mundësi që ata të japin rezultatet”- tha znj. Bytyqi.
* Solaborate (Social-Colaborate) është një platformë e rrjetit social e dizenjuar për profesionistë dhe kompani të ndryshme për t’u lidhur, zbuluar dhe bashkëpunuar. Solaborate i mundëson ekosistemit teknologjik zgjidhjen e problemeve të biznesit dhe të prodhojë udhëheqje dhe shanse të reja duke furnizuar veglat dhe shërbimet e duhura për të bashkëpunuar në kohë reale.
Misioni i Solaborate-it është lidhja e profesionistëve të teknologjisë, kompanive softëare, hardëare dhe shërbyese me përdorues nga e gjithë bota për t’i bërë më produktiv dhe më të suksesshëm. Dallohet nga rrjetet e tjera sociale duke u fokusuar vetëm në nevojat dhe specifikimet për profesionalistët e teknologjisë.
Platforma u mundëson përdoruesve që të krijojnë profilet e tyre profesionale dhe ka disa karakteristika të cilat mundësojnë lidhjen me profesionalistë të tjerë teknologjik, kompani dhe produkte. Përdoruesit kanë mundësi të postojnë, lidhen, shoqërohen, ndajnë, vlerësojnë, shikojnë demo, kërkojnë dhe të aplikojnë për punë, video konferenca, etj.
Rinol Alaj, themelues Rippls App dhe bashkëthemelues – Oda Lab/Mobile & Web Applications Software Development Company (USA/Kosovë)
“Produkti quhet “Rippls App”. Ky aplikacion është i ngjashëm me instagramin, pra është një rrjet social ku me anë të fotove tregon në mënyrë të vazhdueshme video dhe fotografi nga një aktivitet i caktuar, por gjithashtu fton dhe njerëz të tjerë të marrin pjesë në këtë aktivitet nëpërmjet këtij rrjeti. Si për shembull nëse unë krijoj tani një histori me temë aktivitetin që është duke u zhvilluar në këto momente gjithsecili prej jush mund të hedh foto dhe video nga ky aktivitet dhe mund ti bëj share në facebook, instagram e kudo në rrjete të ndryshme”- tha z. Alaj.
Ai dha dhe disa këshilla për të gjithë ata që duan të krijojnë një start up, cili është çelësi i suksesit të këtij start up-i edhe pse nuk ka rëndësi vendi se ku e ngre kompaninë. Ne jemi të mahnitur nga talenti i njerëzve në Kosovë, dhe gjatë gjithë kohës i inkurajojmë ata të punojnë që talente të tillë të qarkullojnë brenda Kosovës. Një këshillë e dytë që do të theksoja përsa i përket suksesit në një biznes, është të largoni egon. Mundohuni të rrethoheni nga njerëz që dinë më shumë se ju dhe lëreni talentin të shndrijë. Në kompaninë time, shumica e punëtorëve janë më të mirë se unë, dhe unë jam shumë krenar për ta. Mundohuni të krijoni një produkt që të keni çelësin e përdoruesit, mos krijoni një produkt që i shërben vetëm një rrethi të vogël njerëzish, por ti shërbejë masës.
Uljan Sharka, CEO dhe themelues @Crystal Apps Ltd në Itali
Uljani ka një produkt që quhet “I-genuis”, kompania e tij që krijon softuerë (programe kompjuterike). Softueri lexon në kohë reale të dhënat e mëdha në rrjetet sociale, i përpunon dhe më pas këshillon si të përmirësosh marketingun në platformat vetjake duke përdorur teknologjinë si levë.
“Mund të përmirësosh marketingun online me vetëm një klik”-, tha Uljani gjatë prezantimit të produktit të tij.
“Gjithmonë kam qenë i interesuar për të hedhur në treg diçka të re, diçka që të tjerët nuk e kanë. Ajo që mund t’ju them unë të rinjve për një start up- të ri është, guximi. Guxoni për të dhe merrni përsipër risqet! Ajo që duhet të dini është të njihni tregun, dhe të hidhni një ide që kur ta hidhni të përpunuar këtë ide në treg të dijë ku të shkojë, të dijë për çfarë qëllimi vlen”, nënvizoi ai.
Denisa Balla, zëvendëspresidente e Qendrës shqiptaro-kanadeze të Ekselencës në Kanada
Denisa Balla, përfaqësuese nga komuniteti shqiptaro-kanadez, nga bota e online marketing, prej vitit 2005 është në Toronto dhe sot në Samitin e Diasporës shqiptare, dha një pasqyrë të asaj çfarë ndodh me komunitetin në Kanada dhe si mund të krijojmë urat lidhëse me komunitetin shqiptar. Denisa theksoi se nëse të rinjtë shqiptarë duan të zhvillojnë ndjenjën e sipërmarrjes duhet të “brumosen që në bankat e universitetit”.
“Më keni ngarkuar punën më të vështirë, sepse paneli bëri një prezantim të shkëlqyer të produkteve që kanë lançuar dhe tjetra ta bëja sa më shkurt sepse ky samit është për ju, për të gjetur vlerat.
Quhem Denisa Balla, jetoj në Kanada prej rreth mbi 10 vitesh, kam shkuar si studente ndërkombëtare dhe vendosa të qëndroj pas një vendimi të gjatë, nuk doja ta zgjidhja Kanadanë si vendin e qëndrimit se ofronte mundësira më të mira, por të shikoja nëse ajo do të ishte si shtëpi për mua. Pasi mbarova studimet në Toronto në degën Ekonomi dhe Shkenca Politike e Mjedis, si shumë shqiptarë të tjerë, kisha ëndrrën që ndoshta do vazhdoja për politikë, apo do perfshihesha në administratën shtetërore, ndodhi qe u gradova në 2009 dhe e hapa veten rreth mundësive të tjera. U përfshiva në industrinë e re që ka marrë vrull në Amerikën e Veriut dhe gjithë Evropën ku komplimenton anën ekonomike dhe kreative. Ngjita shkallët e karrierës, tani punoj në një agjensi që merret me strategji dhe ekzekutim.
Pse jam këtu sot? Gjatë gjithë rrugës sime për të gjetur misionin tim, përmbushjen shpirtërore u fokusova shume në karrierë, në krijimin e lidhjeve por jo shume në misionin shqiptar, madje nuk kisha shumë miq apo rrjete shqiptare. Pasi arrita një stad në karrierën time, tendenca e të dhenurit mbrapsht, e të lidhurit me komunitetit filloi te bëhej akoma më e madhe. Njoha njerëz të zgjuar, shqiptarë që kishin arritur suksese në Kanada dhe aty lindi ideja e krijimit të Qendrës shqiptaro-kanadeze e Ekselencës në Kanada.
Pamë vakum në komunitet të krijimit të një bashkësie shqiptaro-kanadeze e cila promovonte sukseset dhe i lidhte ato bashke me një qëllim, jo vetem të festonin identitetin, gjuhën, apo kulturën shqiptare, por të lidheshim me qëllim për të promovuar suksesin shqiptar.
Pse këtu sot? Sepse një nga qëllimet e organizatës është promovimi i shqiptarëve dhe biznesit shqiptar në Kanada. Jo vetem biznese të vogla. Gjithashtu ne po ndërtojmë një rrjet të të rinjve, jo vetëm të shqiptarëve që kanë shumë vite në Kanada që janë gjenerata e dytë apo e tretë apo shqiptare te lindur ne Kanada, që janë në universitete dhe kanë shumë të ofrojnë.
Çfare dua dhe mund të ofrojmë eshte mundësia për të sjellë kapitalin njerëzor në Shqipëri, lidhjen dhe komunikimin e dy kombeve, shqiptareve ne Shqiperi dhe shqiptareve ne Kanada me qëllim që të ndajnë eksperienca dhe mbi te gjitha të ndihmojnë organizatat apo produktet qe ju keni ndertuar tani me qellim për avancim.
Kemi shumë shqiptarë atje me biznese, me atë rast do donim shume të ishim pjesë e kësaj nisme. Ju përgëzoj për nismën është një realizim shumë i bukur, por edhe premtuese, që nga logjistika, njerëzit e ftuar, shpresoj të ketë vlera dhe të vazhdojmë diskutimet edhe pas panelit” tha ajo.
Një nga gjërat që do doja të shikoja më shumë që qeveria dhe akademia të bëjë është bashkëpunimi i fortë mes dy institucioneve. Duam të shohim njerëz të lirë që ngjisin shkallët e suksesit, por ajo që do më bënte mua të lumtur do ishte të shikoja që të ishit më të brumosur që në bankat e universitetit dhe të mbidheshim dhe të ndanim idetë. Të rinjtë hasin shumë probleme dhe le të jetë kjo platforma që i mbledh të rinjtë, të ulemi këmbëkryq dhe të flasim si të zgjidhim probleme përmes teknologjisë, OJQ-ve.
Konkluzione:
Ajo që këkërkohet në mënyrë të veçantë, është pjesëmarrja individuale e të gjithë shqiptarëve, nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, kudo ku flasin shqip, pra një pjesëmarrje më aktive në atë që po ndërtohet për një klimë më të qëndrueshme të start up-eve në Shqipëri. Nëpërmjet organizatave të ndryshme mund të krijohen lidhje, por besoj se edhe eksperienca juaj do ti japë një tjetër dimension këtyre marrëdhënieve, jo vetëm në start-up, por edhe në politikbërje. Këtu ka disa strategji edhe pse janë në nivel letre, po ti shtojmë eksperiencën, informacionet tuaja nga vendet ku ju jetoni ku start-up-i është bërë kulturë dominonte, jo fillestare si tek ne, çdo lloj komenti, çdo lloj feedback-u mund të vij nga ju do të zërë vend këtu tek ne. Gjithashtu të krijohen edhe kushte siç është një start up në Amerikë, të vini dhe ta sillni në jetë si dhe ta rrisni këtu në Shqipëri.
Krijimi i një fondi për inoavacionin ose për diasporën dhe këto janë iniciativa qeveritare më shumë se një start up në vetvete për të promovuar Ditën e Inovacionit apo Ditën e shqiptarëve në New York a kund tjetër. Pra të jenë pika që ne të grumbullojmë jo vetëm në Shqipëri, por edhe diku tjetër ti japim më shumë jetë bashkëpunimit dhe rijetëzimit me njëri-tjetrin. Besoj edhe legjislacioni duhet të rishikohet mundësia e financimit të tyre, pra ka shumë vend për përmirësim për të cilën besojmë apo ndërhyrja për bashkëpunimin me diasporën do ti japë një vlerë të madhe dhe të qëndrueshme marrëdhënieve më Shqipërinë.
Pra start-up-i, inovacioni, sipërmarrja e të rinjëve, janë fusha në të cilat ne nuk kemi kufizim as gjeografik dhe as kohor, ne jemi shumë të hapur qoftë në nivel individual, qoftë në nivel institucional për të marrë pjesë. E mira e start –up-eve është e pa kufi dhe bashkëpunimi ynë do të mbetet pa kufi./a.m.