Eksperti i ekonomisë Prof. Dr. Arben Malaj apelon qytetarët të jenë të kujdesshëm në investimet e parave të tyre në kompani online. Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Malaj thotë se këto kompani kanë një risk të lartë për të vjedhur kursimet e qytetarëve. Për këtë, ai kërkon angazhimin e insitucioneve dhe individëve për përcjelljen e shqetësimit.
“Këto kompani mashtruese po ju vjedhin paratë, po ju bëjnë më të varfër. Kujdes, fitimet joshëse janë grepi për t’ju peshkuar dhe vjedhur çdo qindarkë. Sa më të mëdha këto fitime teorike që ju joshin ju aq më të mëdha, aq më vrasëtare dhe aq më të rënda do të jenë humbjet tuaja”, thotë Malaj.
Kujdes, apelon Malaj, paratë tuaja dhe të të afërmve tuaj janë para nga shumë sakrifica. “Mos u gënjeni nga këto premtime, mos i merrni paratë e fëmijëve dhe të ardhurave tuaja dhe t’i investoni në këto skema grabitëse. Ndërgjegjësimi publik duhet të jetë aktiv edhe nga autoritetet mbikëqyrëse përmes medias, apo hartimit të materialeve informuese. “Një material konçiz me shenjat paralajmëruese se mund të jeni viktimë duhet të përdoret për ndërgjegjësimin e çdo individi”, shprehet Malaj.
Malaj shprehet se indiferenca ndaj këtij fenomeni mund të ketë pasoja të rënda sociale. “Dikush mund të rekomandojë, le ti lejojmë këta individë të mësojnë duke e pësuar ose falimentuar, por në këtë rast, kriza sociale si individë, familje dhe shoqëri është shumë e rëndë dhe kur përmasa rritet ajo dëmton rëndë kohezionin social të vendit tonë. Kompanitë grabitqare vjedhin milionat, qindra apo mijëra individë/investitorë humbasin kursimet e tyre”, sqaron Malaj. Sipas tij, këta të mashtruar i shtohen numrit të njerëzve të varfër që rrit edhe barrën e buxhetit të shtetit.
Pak ditë më parë, në media u publikua lajmi se kompania “Easy Invest” kishte falimentuar dhe se disa qytetarë kishin humbur kursimet e tyre. Pas këtij rasti, Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, (AMF) apeloi qytetarët se duhet të tregohen të kujdesshëm dhe t’i realizojnë ato vetëm nëpërmjet subjekteve të licencuara, të cilat plotësojnë kërkesat rregullative lidhur me aftësitë profesionale, administrimin e rrezikut dhe transparencën ndaj klientit.
AMF konfirmon se kjo shoqëri nuk ka qenë e licencuar, pra nuk ka qenë e mbikëqyrur nga Autoriteti. Në çdo rast, apelon AMF, investimi duhet të kryhet mbi bazën e një informacioni të plotë dhe vetëm kur ekziston kultura e nevojshme financiare që lejon njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth rreziqeve që shoqërojnë këto investime.
“Kërkoni që përpara se të bëhet regjistrimi si “biznes” i subjekteve të tilla që kryejnë veprimtari financiare online apo në çdo formë tjetër, të kërkohet informacion pranë autoritetit mbikëqyrës përkatës, për të siguruar zbatueshmërinë e plotë të kërkesave ligjore”, thotë AM.F /ATA/a.m.