Ka përfunduar derbi i Anglisë në mes Manchester United dhe Arsnealit në barazim 1-1.
Që nga fillimi i ndeshjes United ishte më i mirë se Arsenali duke krijuar raste të mira shënimi.
Rasti më i mirë në pjesën e parë i takoi sulmuesit francez, Anthony Martial i cili goditi bukur por Cech ndërhyri duke shpëtuar skuadrën e tij.
Në 45 minutat e para raste të mira kishte edhe Pogba e Mata, por porta e mysafirëve mbeti e pa prekur.
Ndërkohë një rast diskutabil ishte kur Nacho Monreal ndërhyri në zonë Antonio Valencias por gjyqtari kryesor heshti duke mos akorduar penallti.
Dominimi i Unitedit ishte edhe në pjesën e dytë, ku në fund arritën të shënonin edhe golin e epërsisë.
Ishte minuta e 69-të e ndeshjes, kur mesfushori spanjoll Ander Herrera depërtoi bukur në zonë dhe ktheu një top tek Juan Mata i cili shënoi pa problem për 1-0.
Deri në fund të ndeshjes të dyja skuadrat kishin edhe disa gjysmë raste por portat më mbetën të pa prekura deri në minutën e fundit të ndeshjes.
Ishin dy zëvendësuesit, Oxlade Chamberlain dhe Olivier Giroud që i siguruan një pikë Arsenalit.
Mesfushori anglez asistoi bukur nga këndi ndërsa Giroud shënoi me kokë për ta barazuar rezultatin në 1-1.
Kështu pas këtij barazimi, United ka mbetur në pozitën e gjashtë në tabelë me 19 pikë të grumbulluara.
Ndërkohë Arsenali mbetet në pozitën e tretë në tabelë me 25 pikë duke u barazuar me Chelsean që ka një ndeshje më pak të zhvilluar.
Kujtojmë që në këtë takim mbrojtësi shqiptar Shkodran Mustafi luajti gjatë gjithë ndeshjes, ndërsa mesfushori Granit Xhaka u inkuadrua në lojë 10 minutat e fundit të këtij derbi. /a.m.