Kështu, pas 4 shtatorit, ditës së Shenjtërimit të ikonës së Dashurisë së këtij Viti Jubilar të jashtëzakonshëm të Mëshirës, Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut, në Vatikan sot u përjetua një tjetër ngjarje e madhe kishtare, që vlerëson edhe një herë historinë e krishterimit ndër shqiptarë, përmes krijimit kardinal të meshtarit dom Ernest Troshani Simoni.
Në Vatikan kanë mbërritur me qindra e qindra mijëra shtegtarë nga të gjitha anët e botës, edhe shumë shqiptarë, për të marrë pjesë në ceremoninë e shpalljes të 17 kardinalëve të rinj, në mesin e të cilëve shkëlqen kardinali i dytë shqiptar, që vetëm pak kohë më parë, diktatura komuniste e persekutoi mizorisht, e internoi dhe burgosi për vite të tëra, siç persekutoi, burgosi e vrau 38 Martirët e Lum të Kishës e të Kombit shqiptar e shumë klerikë e qytetarë të tjerë të Shqipërisë.
Megjithëse i moshuar, kardinali ynë i ri shqiptar ishte i pranishëm në kremtimin e Konçistorit mori nga Ati i Shenjtë, Papa Françesku, veshjen e kuqe, simbol i gjakut të martirëve e të popullit tonë, që ai e përfaqëson kësaj here para mbarë botës, në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan.