Republikani Mike Pompeo pritet të jetë drejtori i ardhshëm i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Lajmin e ka bërë të ditur stafi i presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.Deputet i Kansasit nga radhët e Tea Party, Mike Pompeo mësohet se e ka pranuar detyrën në krye të agjencisë së spiunazhit.
Anëtar i përjetshëm i Shoqatës Kombëtare të Armëve, Pompeo ka qenë mes kundërshtarëve më të egër të reformës në shëndetësi “Obamacare” dhe kundër mbylljes së burgut famëkeq të Guantanamos.
Gjithashtu, ai njihet si një nga mbështetësit kryesorë të programit të përgjimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA, të publikuar nga Edward Snowden.
Ndërkohë, Trump ka emëruar edhe aleatin e tij konservator, senatorin e Alabamës, Jeff Sessions, si prokuror të përgjithshëm. Sessions, një ish-prokuror, ishte tërhequr nga detyra në vitin 1986 për shkak të disa komenteve raciste.
Në një deklaratë, Trump e cilësonte atë një “mendje ligjore e klasit botëror”. “Jeff është një person i admiruar në qarqet ligjore dhe virtualisht, nga kushdo që e njeh”, tha Trump.
Nga ana e tij, Sessions ka shprehur disa herë mbështetjen e tij për politikën “për një Amerikë të vetme” të Trump dhe zotimin e tij për barazi para ligjit.
“Do të punoj për të përmbushur detyrat e mia me angazhim, ndershmëri dhe paanshmëri”, ka thënë Session pas marrjes së njoftimit.
Në vazhdën e emërimeve një tjetër emër ka dalë në dritë, gjenerali Michael Flynn do të shërbejë si këshilltar për sigurinë kombëtare për miliarderin që pret të marrë frenat e Shtepisë së Bardhë, citohet Express. (b.an)