Avokatja e Shtetit, Alma Hicka, u është përgjigjur akuzave të Ben Blushit në parlament se ka kërkuar para pak kohësh një dokument publik por pa marrë asnjë informacion.
Hicka shkruan se në Facebook se deputeti nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare për ndonjë dokument. Sipas avokates, madje, Blushi ka dërguar vetëm një sms të cilës ajo i është përgjigjur.
Por ashtu siç duhet të jetë dhe siç nënvizon Avokatja e Shtetit, deputeti Blushi duhet të mësojë se për të kërkuar një dokument publik, fillimisht bëhet një shkresë zyrtare. Gjë e cila në fakt nuk ka ardhur nga ana e deputetit.
Duke vijuar më tej, avokatja Hiçka i ka kujtuar Blushit gjyqin që ka shteti shqiptar me Francesco Becchetin me firmë dhe implikim të drejtpërdrejtë të deputetit. Bëhet fjalë çëshjtne e njohur si “skandali i plehrave”, në lidhje me kontratën koncesionare të firmosur në vitin 2004. Në atë kohë, Blushi ishte Ministër i Pushtetit Lokal, dhe një nga arkitektët që i hapi rrugë importit të plehrave në Shqipëri.
Dhe pikërisht për këtë çështje, Avokatja e Shtetit thekson se prej kohësh I ka kërkuar deputetit të vijë dëshmojë, në një proces gjyqësor ku shteti ynë është pala e pandehur në një padi qindra milionë euroshe.
Por sipas Hickës, deputeti Blushi jo vetëm që nuk e ka ndjerë si detyrim moral të japë dëshminë por as nuk i përgjigjet kërkesave dhe telefonatave të saj pikërisht për këtë çështje
Deputeti Ben Blushi tha dje në Kuvend se kishte kërkuar një dokument publik pak kohë më parë por nuk ia dhanë se nuk ishte rilindas. Kujtojmë se nga foltorja e Kuvendit, Blushi është shprehur kundër importit të plehrave, pavarësisht se në 2004 kur ishte Ministër i hapi rrugë importit.
Reagimi i plotë:
Sot mësova se në seancën e djeshme të parlamentit, deputeti Ben Blushi, duke përfituar nga mundësia që i jep detyra e tij, më ka përgojuar, sepse sipas tij paskam refuzuar t’i jap një dokument që më ka kërkuar. Ai gënjen! E vërteta është se deputeti Ben Blushi nuk ka bërë asnjë kërkesë zyrtare për të marrë ndonjë dokument nga unë, apo Avokatura e Shtetit. Nëse ai e quan kërkesë mesazhin e tij telefonik, të cilit i jam përgjigjur në mënyrë ezauruese, vetëm për shkak të një detyrimi qytetar, do të duhej një leksion për fillestarët lidhur me çfarë quhet dhe si bëhet një kërkesë për marrje dokumentacioni zyrtar. Por Ben Blushi është edhe deputet dhe si i tillë ai presupozohet që jo vetëm ka të drejtë të mbajë fjalime, ku mund të gënjejë sa të dojë, në një forum ku unë nuk kam mundësi ti jap përgjigje, por ka edhe detyrimin të njohë ligjet që ka votuar vetë. Kështu që leksionin e nevojshëm për rregullimin ligjor në fjalë, nuk mund t’ia jap unë edhe po të doja ta bëja një gjë të tillë.
Megjithatë, meqë deputeti gënjeu publikisht, unë i kam borxh publikut një të vërtetë lidhur me deputetin gënjeshtar. Ben Blushi është pjesë e çështjes gjyqësore mes shtetit shqiptar dhe Francesco Becchettit, për historinë e njohur si “skandali i plehrave”, në lidhje me kontratën koncesionare të firmosur në vitin 2004. Deputeti, asokohë ministër i pushtetit lokal, ka qenë një ndër firmëtarët e kontratës, e cila kishte për qëllim final, t’i hapte rrugën importit të plehrave për djegie apo asgjësim në Shqipëri. Meqënëse vetëm për shkak të atyre firmave, ndër të tjera dhe ajo e Z. Blushi, shteti shqiptar gjendet në situatën absurde ku duhet të mbrohet kundrejt një padie prej disa qindra miliona eurosh, në detyrën time zyrtare dhe për interesat e shtetit shqiptar, i kam kërkuar Z. Blushi të jap dëshmi për ato që flet në media. Por ndërsa unë ndjeva detyrimin qytetar ti përgjigjem dhe ta sqaroj z. Blushi për një interesin e tij privat, ai nuk ndjeu asnjë detyrim ti ngrinte telefonin Avokates së Përgjithshme të Shtetit, për një cështje me interes publik. Z. Blushi ato që thotë, nuk ka dëshirë ti përsërisë në gjyq dhe nuk ka pranuar të dëshmojë në interes të shtetit Shqiptar. Pse-në unë as nuk e di dhe as nuk mund ta marr me mend, por kjo është e vërteta.
I sugjeroj me dashamirësi Z. Blushi ti drejtohet Z. Becchetti për dokumentat që kërkon dhe që ka negociuar me të, sepse sigurisht ky i fundit jo vetëm i diponon me firmën e tij, por ka edhe një detyrim moral që t’ia japë.
Lexo.al/d i